Presidenti i SHBA-së, Joe Biden deklaroi se nuk beson që në Senat do të sigurohen votat e nevojshme për të shpallur fajtor ish-presidentin Donald Trump në gjykimin për shkarkimin e tij. Biden i cili filloi detyrën presidenciale më 20 janar, në një intervistë për CNN foli lidhur me çështjen për shkarkim të Trumpit që është referuar në Senat pas bastisjes së Kongresit më 6 janar.
Duke vënë theksin që krahas 50 demokratëve nevojitet vota “pro” edhe e 17 senatorëve republikanë që Trump të shpallet fajtor në gjykimin për shkarkim, Biden tha se “Unë nuk besoj se kjo do të ndodhë”.
Hetimi për shkarkimin e Trumpit
Neni për shkarkim ku Trump akuzohet për “nxitje të rebelimit” në çështjen e bastisjes së Kongresit ku humbën jetën 5 persona përfshirë një polic, u miratua më 14 janar në Dhomën e Përfaqësuesve. Nëse Trump është apo jo fajtor, do të vendoset si rezultat i gjykimit në Senat.
Udhëheqësi i shumicës në Senatin Amerikan, demokrati Chuck Schumer, në një deklaratë ditë më parë tha se procesi i gjykimit për Trumpin në Senat do të fillojë më 8 shkurt.
Në mënyrë që Trump të shpallet fajtor është e nevojshme që kundër tij të votojnë të paktën dy të tretat, gjegjësisht 67 senatorë në Senatin prej 100 vendesh. Për shkak se në Senat dy partitë kanë nga 50 vende shihet si një mundësi shumë e vogël që Trump të shpallet fajtor.









