Kryetari i Komunës së Tetovës dhe Lëvizjes Besa, Bilall Kasami ka reaguar rreth analizës së fundit ekonomike të publikuar mbrëmë nga Instituti për Demokraci dhe Analiza Ekonomike (IDEA) rreth harxhimeve të komunave për harxhimet dhe shpenzimet ditore, shkruan InfoShqip.
Kasami ka demantuar se kjo analizë është plotësisht e pasaktë dhe nuk ka të bëjë fare me harxhimet e Komunës që ai udhëheq.
Postimi i plotë:
“DEMANT❗️
Shpenzimet e publikuara nga Instituti për Demokraci dhe Analiza Ekonomike nuk kanë lidhje as me mua si kryetar i Komunës por as me administratën komunale.
Në asnjë mënyrë dhe në asnjë kohë nuk ka mundur të ndodhin keqpërdorime buxhetore përderisa unë jam në krye të komunës dhe këtë mund ta dokumentojmë me fakte dhe argumente. Nga instituti në fjalë kërkojmë tërheqjen e lajmit dhe të kërkojnë falje publike sepse në të kundërtën do të pasojë padia.
Për vitin 2022 në buxhetin e komunës së Tetovës janë planifikuar mjete në vlerë prej 266,826 euro nga shkollat e mesme për realizimin e projekteve Erasmus. Ndërsa realizimi prej 211.031 euro është po nga i njëjti qëllim. Domethënë janë harxhime të planifikuara nga donacionet e realizuara për projektet Erasmus nga shkollat e mesme, të cilat nuk janë nga buxheti i Komunës së Tetovës. Pra Instituti në fjalë do të ishte mirë që të bëjë dallimin e donacioneve për Erasmus programet dhe më pas të publikojë të dhëna statistikore.
Askush nuk mund ta njëllos punën e komunës sepse ne jemi të përkushtuar për të punuar në interes të qytetarëve!”, ka shkruar Kasami.