Bill Clinton, ish-presidenti i SHBA-së, dhe bashkëshortja e tij Hillary janë thirrur si pjesë e një hetimi mbi aktivitetet kriminale të Jeffrey Epstein.
Si pjesë e një hetimi mbi lidhjet e Epstein-it me figura të profilit të lartë, Komiteti i Mbikëqyrjes i Dhomës së Përfaqësuesve, i kontrolluar nga republikanët, ka kërkuar marrjen në pyetje të çiftit Clinton dhe i ka kërkuar Departamentit të Drejtësisë dosjet e hetimit për trafikim seksual kundër financuesit pedofil.
Letra drejtuar zotit Clinton përshkruan lidhjet e tij me Epstein-in, përfshirë marrëdhënien e ngushtë me Ghislaine Maxwell, ish-të dashurën e tij, e cila po vuan një dënim prej 20 vitesh për trafikim seksual.
“Sipas pranimit tuaj, ju keni fluturuar me avionin privat të Jeffrey Epstein katër herë në vitet 2002 dhe 2003,” thuhet aty. “Gjatë njërës prej këtyre udhëtimeve, madje jeni fotografuar duke ju bërë një ‘masazh’ nga një prej viktimave të zotit Epstein.”
Zonja Clinton është urdhëruar të paraqitet për një dëshmi më 9 tetor dhe ish-presidenti më 14 tetor.
“Nga të dhënat, duket se familja juaj ka pasur një marrëdhënie të ngushtë si me Jeffrey Epstein, ashtu edhe me bashkëpunëtoren e tij në krim, Ghislaine Maxëell,” thuhet në letrën shoqëruese të thirrjes në gjyq drejtuar zonjës Clinton, ish-sekretare e Shtetit e SHBA-së.
Letra drejtuar zotit Clinton i referohet akuzave të bëra nga një prej viktimave të Epstein-it, sipas të cilave ai është përpjekur të ndalojë publikimin e një artikulli për miliarderin.
“Gjithashtu është pretenduar se ju i keni bërë presion revistës Vanity Fair që të mos publikojë akuzat për trafikim seksual kundër ‘mikut tuaj të ngushtë’ z. Epstein, dhe ka raportime kontradiktore nëse keni vizituar ndonjëherë ishullin e zotit Epstein,” thuhet aty.
“Po ashtu, dyshohet se keni pasur një marrëdhënie të ngushtë me znj. Ghislaine Maxwell, bashkëpunëtore në krim e Epstein-it, dhe keni marrë pjesë në një darkë të ngushtë me të në vitin 2014, tre vite pas raportimeve publike për përfshirjen e saj në abuzimin e të miturve nga z. Epstein”, shkruan Telegraph.