Qasja e re ndaj Shqipërisë e qeverisë së drejtuar nga kryeministri Zoran Zaev pritet të sjellë investitorë shumtë nga Shqipëria.
Vizitat e shpeshta do të ndikojnë në rritjen e shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve, rritjen e investimeve si dhe bashkëpunime në sfera tjera.
Ministri përgjegjës për Investimet e Huaja të Maqedonisë, Ramiz Merko, gjatë vizitës zyrtare në Shqipëri në fokus kishte rritjen e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.
Rritja e bashkëpunimit ekonomik dhe mënyrat për të shfrytëzuar maksimalisht potencialin ekzistues ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë ishte tema që u bisedua mes Merkos dhe Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Ditmir Bushati.
Agjencia e lajmeve INA mëson se nxitja e projekteve infrastrukturore dhe energjitike, përforcimi i bashkëpunimit ndërkufitar, me impakt në aksin zhvillimor mes dy vendeve dhe ndërlidhjen e rajonit, mbeten përparësi dhe objektiv kryesor në mbledhjen e ardhshme mes dy qeverive.
Përmirësimi i raporteve mes dy vendeve gjithashtu ka mobilizuar biznesmenët shqiptarë që vijnë me kapitalin e tyre për të investuar në Maqedoni. (INA)