Bosnja ua ndalon hyrjen gjashtë shtetasve serbë që kanë lidhje me grupin rus “Wagner”, tre prej tyre ishin edhe në veri të Kosovës

Shërbimet e sigurisë boshnjake ua kanë ndaluar hyrjen në Bosnje dhe Hercegovinë gjashtë shtetasve të Serbisë, të cilët janë të lidhur me formacionin paraushtarak rus “Wagner”.

Damnjan Knezheviq, lider i shoqatës “Patrulla e Popullit” në Serbi, anëtarët e kësaj shoqate, Zoran Lekiq dhe Aleksandar Lisov, si dhe pjesëtarët e formacionit paraushtarak Wagner, Aleksandar Milovanoviqit, Zoran Paviqit dhe Dragan Mirkoviqit iu ndalua hyrja në shtetin bosnjak, shkruan istraga.ba.

Të gjithë të lartcekurit janë shpallur persona të rrezikshëm për sigurinë kombëtare dhe u është ndaluar hyrja në Bosnje dhe Hercegovinë që nga fillimi i këtij viti, transmeton Telegrafi.

Milovanoviq, Paviq dhe Mirkoviq aktualisht ndodhen në Ukrainë, ku po luftojnë në anën e forcave ruse.

Damnjan Knezheviq, Zoran Lekiq dhe Aleksandar Lisov kanë qenë shumë aktivë në veri të Kosovës, të cilët së fundmi kanë vizituar Qendrën Wagner në Rusi.

Zoran Lekiq dhe Aleksandar Lisov, i cili u prezantua në fillim të dhjetorit si ideolog dhe udhëheqës i Qendrës PMC Wagner – Qendra Kulturore dhe Informative Ruso-Serbe e Miqësisë dhe Bashkëpunimit “Orly” në Beograd, gjithashtu shfaqen në videon e Qendrës së Wagnerit.

Kujtojmë se pas vizitës së tij në Qendrën Wagner, Damnjan Knezheviq u bëri thirrje serbëve që të fillojnë çlirimin e Jarinjës në veri të Kosovës.

Më 18 dhjetor të vitit të kaluar, Knezheviq qëndroi në Jarinjë me disa anëtarë të maskuar nga Serbia.

Ndryshe, “Patrulla e Popullit” është organizatë e krahut të djathtë që vitet e fundit ka zhvilluar një fushatë kundër emigrantëve në Serbi. /Telegrafi/

VIDEO:

FOTO:


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu