Brazili do t’i përgjigjet me reciprocitet nëse SHBA-ja i i vendos tarifa prej 50 për qind

Presidenti brazilian, Luiz Inacio Lula da Silva tha se është i gatshëm të përgjigjet me tarifa të njëjta ndaj çdo takse që Shtetet e Bashkuara vendosin mbi Brazilin.

Lula po i përgjigjej kërcënimit të mërkurën nga presidenti amerikan, Donald Trump, i cili paralajmëroi vendosjen e një takse importi prej 50 për qind mbi mallrat braziliane, që do të hynte në fuqi nga 1 gushti.

Në një letër, Trump përmendi mënyrën se si Brazili ka trajtuar ish-presidentin Jair Bolsonaro si arsyen për rritjen e tarifave, raporton bbc.

Bolsonaro aktualisht po përballet me një gjyq për shkak të pretendimeve se ka tentuar të organizojë një grusht shteti kundër Lulas, pasi humbi në zgjedhjet e vitit 2022. Trump e cilësoi Bolsonaro si “një udhëheqës të respektuar në mbarë botën”.

“Ky gjyq nuk duhet të mbahet,” shkroi ai, duke i bërë thirrje Brazilit të ndalojë menjëherë “gjuetinë ndaj shtrigave” ndaj ish-presidentit.

Mbështetja e Trumpit për Bolsonaron nuk është befasi, pasi dy liderët konsiderohen prej kohësh aleatë.

Presidenti amerikan kishte kritikuar më parë Brazilin për trajtimin ndaj Bolsonaros, duke e krahasuar me rastet ligjore që ai vetë ka përjetuar në gjykatat amerikane.

Kërcënimi për tarifë prej 50 për qind u përball me një përgjigje të fuqishme dhe të gjatë nga lideri brazilian, Lula.

Në një postim në X, ai theksoi se Brazili është “një vend sovran me institucione të pavarura dhe nuk do të pranojë asnjë lloj kujdestarie”.

Lideri brazilian gjithashtu njoftoi se “çdo rritje e njëanshme e tarifave” do të marrë përgjigje me tarifa reciproke mbi mallrat amerikane.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu