Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, ka deklaruar sot se vendimi i përfaqësuesve të serbëve nga Kosova për t’u larguar nga institucionet e përkohshme të vetëqeverisjes në Prishtinë është mbrojtje e së drejtës publike ndërkombëtare dhe Marrëveshjes së Brukselit, transmeton InfoShqip.
“Me këtë populli ynë në Kosovë tha se duan vetëm paqe, se besojnë në sundimin e ligjit dhe se besojnë në të gjithë ata partnerë nga bashkësia ndërkombëtare që kanë marrë pjesë në arritjen e marrëveshjeve të ndryshme gjatë viteve të kaluara“- tha kryeministri në një deklaratë.
“Histeria në publikun dhe median e Prishtinës është shembull i absurditetit”, shtoi Brnabiq. Ajo tha gjithashtu se paralelet e tërhequra në Prishtinë me Ukrainën dhe Donbasin janë “të papërshtatshme dhe jokoherente“.
“Çdo vit, numri i sulmeve ndaj serbëve shtohej, pronat e tyre konfiskoheshin në mënyrë të paligjshme, të kthyerit e rrallë u keqtrajtuan dhe u dëbuan përsëri në mënyrë brutale, u arrestuan dhe u dënuan njerëz të pafajshëm në kundërshtim me Marrëveshjen e Brukselit. E vetmja gjë që duan është të shohin zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara dhe asgjë më shumë se kaq”, theksoi kryeministri./InfoShqip.com










