Ish-kryeministri i Kosovës në ekzil, Bujar Bukoshi, që është i dyshuari kryesor për keqpërdorime me Fondin e Republikës së Kosovës të njohur si “tre përqindëshi”, është marrë në pyetje sot në Drejtorinë e Krimeve të Rënda të Policisë së Kosovës.
Lajmin për intervistimin e Bukoshit e ka konfirmuar avokati i tij, Besnik Berisha.
“Bukoshi sot është ftuar në Policinë e Kosovës për të sqaruar disa informata lidhur me veprimtarinë e UFORK-ut në Kosovë,” ka thënë shkurt avokati Berisha. Vetë Bukoshi ka refuzuar të komentojë lidhur me intervistimin e tij.
Fondi i Republikës së Kosovës ishte krijuar në vitet e 1990-ta për të përkrahur institucionet “paralele” të Kosovës në atë kohë, si arsimi e shëndetësia.
Fondi ka qenë një Organizatë Joqeveritare e regjistruar në New-Ulm të Republikës Federale Gjermane. Themelues dhe nënshkrues të statutit ishin: Bujar Bukoshi, Pjeter Coli, Isa Mustafa, Shaban Bobaj, Muhamet Bicaj dhe Begi Mazelxhin. /Insajderi