Bullgarët nuk e përfshijnë Kosovën në votim, por Distria është sportistja më e votuar në garën për më të mirin e Ballkanit

Agjenci lajmesh nga dhjetë vende të regjionit kanë votuar për sportistin më të mirë të Ballkanit për vitin 2021. Pjesë e votimit nuk ishte ndonjë agjenci lajmesh nga Kosova. Por me gjithë anashkalimin e Kosovës, Distria Krasniqi ka përfunduar lart në listën e sportistëve më të mirë të Ballkanit.

Është Agjencia Telegrafike e Bullgarisë (BTA) që për herë të 48-të ka organizuar votimin për sportistin më të mirë të Ballkanit.

Votuan agjencitë nacionale të lajmeve si: BTA (Bullgari), ANA-MPA (Greqi), AGERPRES (Rumani), Anadolu Agency (Turqi), Tanjug (Serbi), MINA (Mali i Zi), MIA (Maqedonia e Veriut), HINA (Kroaci), FENA (Bosnjë-Hercegovinë), ATA (Shqipëri).

Ndonëse pa ndonjë lobim të fortë, Distria Krasniqi është renditur e katërta në mesin e sportistëve më të mirë të Ballkanit. Ajo mori 32 pikë. Më i miri është shpallur Novak Gjokoviq, tenisti nga Serbia, që mblodhi 83 pikë. Basketbolli që përfaqëson Greqinë, Giannis Antetokounmpo ishte i dyti me 56 pikë, ndërsa atleti grek, Miltiadis Tentoglou, u rendit i treti. Ai mori 48 vota. Menjëherë pas tyre ishte Distria, që i bie të jetë sportistja më e votuar për çmimin e më të mirit të Ballkanit.

Jovana Perkoviq (Serbi, karate), Ivet Goranova (Bullgari, karate), Bilyana Dudova (Bullgari, mundje), Martin Sinkoviq dhe Valent Sinkoviq (Kroaci, lundrim), Mete Gazoz (Turqi, shigjetari), Nikoleta-Ankutza Bodnar dhe Simona Radish (Rumani, lundrim) mbetën pas Distrisë.

Gjithsej 39 sportistë kanë marrë vota. Nora Gjakova, kampionia tjetër olimpike nga Kosova, është renditur e 19-ta. Ylli i tenisit, Gjokoviq, ishte i vetmi që është votuar nga të gjitha agjencitë e lajmeve të regjionit. Ai është shpallur më i miri i Ballkanit për herë të shtatë.

Të tre sportistët që ishin para Distrisë, janë yje të disiplinave përkatëse. Distria po ashtu është yll i xhudos. Ajo ka fituar medaljen e artë olimpike në kategorinë deri 48 kilogramë dhe ishte më e mira e Evropës. U shpall nga IJF-ja xhudistja më e mirë e vitit 2021.

Kosova për herë të parë ka pasur sportistë të renditur kaq lart. Ky vlerësohet një tjetër mirënjohje për ngritjen e jashtëzakonshme të xhudos kosovare. Sportistët nga Bullgaria janë shprehur krenarë që kanë zënë vend në këtë renditje me traditë të gjatë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu