Ç’do të thotë konkretisht marrëveshja ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit

Marrëveshja e arritur nga Beogradi dhe Prishtina në kuadër të dialogut të sponsorizuar nga BE-ja nënkupton që serbët e Kosovës, si të gjithë qytetarët e tjerë, mund të udhëtojnë lirshëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duke përdorur kartat e tyre të identitetit.

Me këtë marrëveshje, serbët nuk do të kenë nevojë për asnjë letër, dëshmi apo dokument shtesë për vajtje-ardhje dhe nuk do t’u lëshohet asnjë letër me regjim vizash prej 90 ditësh.

“Një lajm i mirë për Serbinë” ka bërë të ditur në Twitter përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikën e jashtme dhe sigurinë, Josep Borell.

“BE-ja sapo ka marrë garanci nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti për këtë qëllim. Kjo është një zgjidhje evropiane. Ne i përgëzojmë të dy liderët për këtë vendim dhe udhëheqjen e tyre”, theksoi Borell.

Mesazhi i Borell-it erdhi menjëherë pasi presidenti serb Aleksandar Vuçiç deklaroi se pret garanci nga BE-ja për propozimin që ka bërë, raporton Blic.

“Për ne është e rëndësishme që serbët nga Kosova të mund të lëvizin me dokumente nga Serbia, të hyjnë dhe të dalin nga Kosova”, tha Vuçiç më herët në fjalimin e tij drejtuar kombit.

Kjo do të thotë se përdorimi i kartave të identitetit të lëshuara nga Prishtina lejohet ekskluzivisht për arsye praktike, për të mundësuar lirinë e lëvizjes, dhe nuk mund të interpretohet si njohje e pavarësisë së Kosovës, nuk paragjykon përcaktimin e statusit përfundimtar të Kosovës dhe nuk mund të jetë interpretuar si një devijim nga Rezoluta 1244.

“Ajo që ne kërkojmë për garanci është që çdo serb të hyjë dhe të dalë nga Serbia me dokumente serbe. Ata njerëz nuk mund t’i përkasin regjimit të vizave. Nëse kjo zbatohet, ne kemi zgjidhur një problem të vogël”, tha Vuçiç.

Duke folur për bisedimet e ditëve të kaluara për Kosovën, Vuçiç tha se nuk ka marrëveshje për targa.

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak, falënderoi të dërguarin special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe diplomacinë amerikane për angazhimin e tyre të fuqishëm në mbështetjen e këtij dialogu, i cili zhvillohet nën kujdesin e BE-së. Lajçak ka shpërndarë postimin e shefit të diplomacisë në Twitter, i cili ka shkruar se Beogradi dhe Prishtina kanë arritur marrëveshje për kartat e identitetit.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu