Çfarë fshihet pas “luftës” PD-LSI. Basha paralajmëron falimentin e SHPK-së së Metës

Në kulmin e fushatës elektorale po shohim këto ditë një ashpërsim të toneve mes PD-së dhe LSI-së. Sot Lulzim Basha ka sulmuar ashpër presidentin e zgjedhur, Ilir Meta, i cili ka dalë vetë për takimet elektorale të LSI-së, në një përpjekje për të motivuar elektoratin. Gjatë takimit të sotëm në Krujë, Basha ka thënë se SHPK-ja e Ilir Metës do të marrë fund në 25 qershor.

“Tregtarit të Vendekut, që u zgjodh president si akt i fundit i republikës së vjetër, dua t’i them ta marrë me qetësi dhe dashuri faktin që SHPK-ja e tij do të shkojë drejt falimentimit total më 25 qershor. Merre me qetësi dhe dashuri, mos e shkel etikën se je president i zgjedhur, edhe pse me pazar, lere Petritin ta marrë faturën e falimentimit të SHPK-se, matrapazllëqet nuk kanë vend në republikën e re”- tha Basha.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Petrit Vasilit, i cili ironizoi Bashën duke i thënë se je i dehur nga hashashi.

“Mosmirënjohjen ndaj Berishës dhe Metës ta njoh mirë. E di mirë edhe që ke hequr dorë nga objektivi yt dhe i PD-së për kryeministër dhe president. Megjithatë, për të vërtetat e shpk-ve të tua dhe shumë të vërteta të tjera, që unë di nga takime shumë të rëndësishme, meqënëse edhe kandidati tjetër nuk po ta fishkëllen, edhe në respekt të demokratëve të pres të përballemi në tv, shesh a ku të duash. Ky, Luli, është një shans edhe për ty”, thotë Vasili.

Për të kuptuar çfarë fshihet pas kësaj përplasje, duhet të rikthehemi sërish tek pakti Rama-Basha i 18 majit, një marrëveshje që synon ndër të tjera të godasë edhe LSI-në dhe partitë e tjera.

Janë të shumtë zërat që thonë se pas 25 qershorit do të ketë bashkëqeverisje mes PD-së dhe PS-së, për të lënë përfundimisht jashtë LSI-në dhe për të ndërmarrë disa reforma kushtetuese dhe zgjedhore, që përshpejtojnë gjithashtu rrugën e vendit drejt BE-së. E pikërisht kjo aleancë Rama-Basha, që pritet të kristalizohet më shumë pas zgjedhjeve, qëndron në themel të tensionit të LSI-së.

Nga ana tjetër është Basha, i cili ndodhet përballë një rreziku real që PD-ja të dalë forcë e tretë në shumë qarqe apo ndoshta në të gjithë vendin. Basha godet LSI-në, me shpresën për ta defaktorizuar dhe për të marrë votues të saj, në mënyrë që të maksimizojë rezultatin zgjedhor. Ndërkohë që sulmet ndaj Ramës, kundërshtarit tradicional janë disi të zbehta. Po të vësh re me kujdes deklaratat, gjithnjë e më pak po flitet për kanabisin, drogën apo të inkriminuarit. Çështje këto që ishin kryefjala e retorikës së Bashës në çadrën e protestës.

Një ditë më parë Luan Rama i LSI-së ironizoi Bashën duke thënë se ai po përpiqet për të qenë parti e tretë në vend. Ndërkohë sulmet e Bashës ndaj LSI-së nuk janë të shkëputura nga sulmet që bën Rama. Ky i fundit tre ditë më parë tha në “Opinion” se e keqja e qeverisjes është LSI-ja, që nuk mban përgjegjësi asnjëherë, si kur është me PD-në ashtu kur është edhe me PS-në. Dje nga Gjirokastra Rama kërkoi vota për të larguar nga drejtimi njerëz të LSI-së dhe foli për “bosnjëzimin” e shtetit, duke nënkuptuar ndarjen e pushtetit me LSI-në.

Gjasat janë që ky sinkronizim Basha-Rama të vazhdojë edhe më tej gjatë fushatës. Ata do të rrisin tonet kundër LSI-së, duke çuar deri në fund përpjekjen e tyre për ta defaktorizuar si parti e për ta lënë jashtë qeverisjes së ardhshme dhe qeverisjeve të tjera që do të vijnë. Rama e Basha janë bashkë për një sistem dypartiak. Mbetet për t’u parë nëse do t’ja dalin!/LAPSI.AL


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu