Kurti, i thirrur si “dëshmitar” nga Prokuroria Speciale, i fton prokurorët në Zyrën e Kryeministrit

Kryeministri Albin Kurti ka shprehur gatishmërinë për t’i pritur prokurorët e rastit, për të cilin është ftuar të intervistohet në cilësinë e dëshmitarit nga Prokuroria Speciale, në Zyrën e Kryeministrit.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, për mediat në Prishtinë ka deklaruar se takimi do të bëhet me dakordimin e të dyja palëve.

“Kryeministri Kurti ka shprehur gatishmërinë t’i mirëpres prokurorët e rastit në zyrën e tij në një ditë dhe orë të dakorduar nga të dy palët për të përmbushur kërkesën e dalë nga ftesa e prokurorisë”, ka thënë Kryeziu.

Kurti, nuk është paraqitur në Prokurorinë Speciale për shkak se gjendet në udhëtim zyrtar në Slloveni.

Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Liridona Kozmaqi, në një konferencë para gazetarëve.

“Siç jeni në dijeni, Prokuroria Speciale ka ftuar kryeministrin Kurti për intervistim në cilësinë e dëshmitarit në një rast penal. Sot, nga kabineti i kryeministrit Kurti, Prokuroria Speciale është informuar se ai ndodhet në udhëtim jashtë vendit dhe e ka të pamundur të paraqitet në Prokurorinë Speciale”.

Kozmaqi ka shtuar se kryeministri Kurti do të ftohet sërish nga Prokuroria Speciale për t’u intervistuar në cilësinë e dëshmitarit.

“Prokuroria Speciale, në përputhje me legjislacionin në fuqi, do të përgatisë një ftesë tjetër për kryeministrin Kurti për një datë tjetër. Data ende nuk është caktuar”.

Në bazë të informacioneve jozyrtare, kryeministri është ftuar të dëshmojë në rastin për keqpërdorimin e rezervave shtetërore, në të cilin është e implikuar edhe Rozeta Hajdari, ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

Në ftesën e Prokurorisë ishte thënë se nëse Kurti refuzon të dëshmojë pa arsyetim ligjor, mund të dënohet me gjobë deri në 250 euro.

“Në mbështetje të nenit 132 të KPP, mosparaqitja juaj e paarsyeshme, do të jetë shkas që t’ju detyrojmë të paraqiteni dhe mund të dënoheni me gjobë deri 250 euro për çdo mosparaqitje. Nëse ju paraqiteni, por pasi t’u jenë bërë me dije pasojat, refuzoni të dëshmoni pa arsyetim ligjor, mund të dënoheni me gjobë deri në 250 euro”, thuhet aty.

Ndërsa, nëse edhe pas kësaj refuzon, atëherë nga Prokuroria theksohet se mund të ketë pasojë burgimi.

“Nëse edhe pas kësaj gjobe, refuzoni të dëshmoni, atëherë mund të burgoseni. Burgimi zgjat derisa nuk pranoni të dëshmoni apo derisa dëshmia juaj bëhet e panevojshme, ose derisa procedura të përfundojë, por jo më shumë se 1 muaj”, potencohet aty.

Për rastin e rezervave shtetërore janë arrestuar disa zyrtarë, por të njëjtit janë liruar për t’u mbrojtur në liri.

Në prill të këtij viti, ministrja Hajdari ishte intevistuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës nën dyshimet se ka keqpërdorur detyrën zyrtare. Megjithatë, nuk janë ofruar detaje të plota për përmasat e hetimeve të këtij rasti.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu