Çfarë po ndodh me shqiptarët, për një ditë 8 persona drejt vetëvrasjes?

Tablo e trishtë vjen thuajse çdo ditë nga raportimet e medieve si dhe raportimet rutinë të policisë, mbi dukurinë e flijimit që po merr përmasa galoponte në vend.

Djem dhe vajza, burra e gra, të moshuar, që i dorëzohen përpjekjeve për vetëflijim, në kushte të tronditjes psikologjike dhe shkaqeve të tjera që shpesh merren me vete nga viktimat e këtyre ngjarjeve të dhimbshme.

Sezoni veror, ka shtuar rastet e vetëflijimeve në vend.

Edhe psikologët e shprehin këtë shqetësim. Ata thonë se gjatë kësaj stine, shtohen rastet e personave që kanë tendencë t’i japin fund jetës me mënyra të ndryshme. Shkaqet shihen kryesisht te gjendja e rënduar psikologjike e cila i përfshin më shumë disa njerëz gjatë stinës së nxehtë.

24 orët e fundit kanë qenë edhe më shqetësuese. Të paktën tetë raste u regjistruan në të gjithë vendin, ku katër njerëz vdiqën dhe katër të tjerë ndodhen nën mbikëqyrje mjekësore.

Ngjarja më e rëndë mund të përmendet ajo e hedhjes shokuese nga mbikalimi, i një vajze të re. Ngjarja ndodhi dje në Golem, te mbikalimi i këmbësorëve. Në kushtet e tronditjes psikike, është hedhur shtetasja me iniciale D.S, 19 vjeçe.

Ajo u mor me shpejtësi nga persona që u gjendën në vendngjarje dhe u dërgua në spital, ku paraprakisht policia thotë se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Sakaq mbrëmjen e djeshme në fshatin Rajcë të Elbasanit, burri në moshë të thyer, K.B., 78 vjeç, teksa ndodhej në banesën e tij, në orën 21.00, është vetëhelmuar me medikamente mjekësore. Sapo u gjet në përpjekjet për t’iu dorëzuar vdekjes, ai u mor nga familjarët dhe u dërgua në spital ku aktualisht ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Pak orë më vonë në lagjen “Gërhot”, Gjirokastër, djali 32-vjeçar V.K, banues në lagjen “18 Shtatori”, ka shkuar te një ndërtesë që e kishte në pronësi familjare dhe është tmerruar kur ka gjetur babanë e tij të varur.

Policia tha se ka gjetur të vetëvarur në ndërtesën në pronësi, 69-vjeçarin A.K. dhe i dërgoi materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor, për vlerësim.

Po dje në Krumë, një tjetër person ka humbur jetën pasi ka varur veten. Burri 45-vjeçar K.M u gjet i pajetë pasi kishte bërë vetëflijim në rrethana dhe shkaqe të paqarta. Policia tha se materialet u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kukës, për vlerësim.

Gjatë 24 orëve të fundit ka pasur edhe të tjera ngjarje të dhimbshme që lidhen me përpjekjet për flijim. Në fshatin Rrashbull të Durrësit, vajza 26-vjeçare A.C., është vetëhelmuar me ilaç për spërkatjen e bimëve në banesën e saj. Me t’u gjetur në atë gjendje ajo u dërgua dhe ndodhet në spital, ku policia paraprakisht thotë se është jashtë rrezikut për jetën.

Por nga helmi, një 64-vjeçare po dje, nuk i shpëtoi vdekjes. Komisariati i Policisë Lushnjë raporton se është dërguar në spital e vetëhelmuar dhe vdiq shtetasja A.Gj, banuese në fshatin Zhamë Sektor.

Ndërkohë që për një 16-vjeçare e cila ka pirë antibiotikë mbidozë është dërguar nga familjarët në spital dhe fatmirësisht ndodhet nën kujdesin e mjekëve. /Noa.al /


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu