Analistja Gjulistana Markovska theksoi se qasja e elektoratit shqiptar në këto zgjedhje tregoi një shkallë më të lartë të demokracisë dhe mundësi që në të ardhmen të formohen koalicione qytetare para-zgjedhore. Por për Risto Nikovskin, shqiptarët në këto zgjedhje nuk i shfrytëzuan 5 opsionet në oborrin e tyre politik, dhe se vota e tyre nuk ka qenë për LSDM-në por ka qenë votë kundër VMRO-DPMNE-së. Më pak dallime të dy folësit kishin rreth asaj se çfarë qeverie i duhet Maqedonisë në rrethana kur trupi elektoral është i ndarë me rezultat të ngushtë zgjedhor.
“Cilido që do ta formojë Qeverinë do të ketë një barrë të rëndë, do të ketë probleme të mëdha dhe nuk ka për ta zgjidhur krizën. Ky është fillimi i zgjidhjes së krizës afatgjate në Maqedoni e përmbledhur në 10 vite qeverisje nga kjo Qeveri”, u shpreh Gjulistana Markovska, analiste.
“Rezultatet e dhëna tregojnë se si do që të kombinohet, nuk ka një shumicë të madhe që do mund të qeverisë në mënyrë të përgjegjshme dhe stabile, d.m.th sipas të gjitha gjasave do të kemi zgjedhje të reja…ndoshta për 5-6 muaj. Kriza që po na “lëkund” tanimë 2 vite për fat të keq po thellohet më shumë”, tha Risto Nikovski, analist.
Nga ana tjetër, analisti Agim Jonuz theksoi se më shumë beson se vendimet për të ardhmen e vendeve të vogla dhe të brishta si Maqedonia merren sipas nevojave të rendit global:
“Duke parë këtë që po ndodh, ne meritojnë dorë të fortë. Çfarë Qeverie do të kemi, ose çfarë duhet të kemi, me siguri duhet të presim pas janarit ose pas betimit të Donald Trampit. Mendoj që me këtë thash gjithçka”, tha Agim Jonuzi, analist.
Analisti Nikolla Gelevski, Qeverinë e ardhshme e sheh pa VMRO-DPMNE-në, madje me grupe të ndara në Kuvend, pa mundësi për të formuar qeveri.
“Këto zgjedhje shpresoj se janë hyrje për të pasur një Maqedoni më delikate dhe më suptile, ku në Kuvend do të ketë 6-7 parti. Ai që është më i aftë për marrëveshje do të formojë Qeveri dhe do të hartojë strategji për vendin”, shtoi Nikolla Gelevski, analist.
Mysafirët në Klik Plus ishin të ndarë dhe rreth asaj nëse diplomatët dhe vendet nga rajoni do të ndihmojnë ose do të pengojnë përpjekjet për zgjidhjen e tensioneve politike në Maqedoni.










