Chollet: Marrëveshja, në qendër njohjen reciproke, nuk përkrahim një Asociacion si Republika Serbe

Këshilltari i Departamentit të Shtetit, Derek Chollet, ka deklaruar të mërkurën se është momenti kritik që Kosova dhe Serbia të angazhohen në dialog për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse në qendër me njohjen reciproke dhe se krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është obligim ligjor i Qeverisë së Kosovës.

Jemi në një moment kritik. Ne besojmë që Kosova me Serbinë duhet të angazhohen urgjentisht në dialogun e fascilituar dhe të udhëhequr nga BE-ja, që punon drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për marrëdhënie të normalizuara që ka në qendër njohjen reciproke”, ka deklaruar Chollet në një brifing me përfaqësues të mediave, pas takimeve me përfaqësues të institucioneve të Kosovës, ku të pranishëm kanë qenë zv.ndihmësi i sekretarit të Shtetit, Gabriel Escobar, dhe ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier.

Këshilltari Chollet ka thënë se SHBA-ja e përkrah plotësisht dialogun e udhëhequr nga BE-ja dhe se Kosova duhet t’i plotësojë obligimet e dala nga ai.

Ne besojmë që ky dialog është mjeti më i mirë për Kosovën që të sigurojë të ardhmen e vet të plotë euroatlantike. Dhe presim nga Kosova t’i plotësojë të gjitha obligimet e saj në dialog që përfshin themelimin e një Asociacioni të komunave me shumicë serbe. Ne mendojmë që kjo është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe me Vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015. Mendojmë që zhvillimet e fundit vetëm sa e kanë theksuar rëndësinë e themelimit të tij”, ka deklaruar ai.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sipas zyrtarit të lartë të Departamentit të Shtetit, nuk do të përkrahnin assesi çfarëdo aranzhimesh që nuk janë në vijë me Kushtetutën e Kosovës dhe se pret propozimet nga Qeveria e saj.

Ne presim nga Qeveria e Kosovës të paraqesë disa propozime në tavolinë. Dua ta bëj të qartë që ne nuk e përkrahim dhe nuk do të përkrahim aranzhime si ato të Republikës Serbe dhe nuk po i kërkojmë Kosovës të përkrahë çfarëdo aranzhimi që nuk është në përputhje me Kushtetutën e vet dhe me Vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015. Kuvendi i Kosovës e ka ratifikuar Marrëveshja e Brukselit – Gjykata Kushtetuese ka vendosur që është e domosdoshme të themelohet bashkësia e komunave me shumicë serbe dhe që ne besojmë që formimin e tij e bën ligjërisht obliguese për Qeverinë e Kosovës”, ka thënë Chollet.

Ai ka vënë theksin te raportet “shumë të forta” mes Kosovës dhe SHBA-së, e veçanërisht ka potencuar se zyrtarët aktualë më të lartë shtetërorë amerikanë kanë një histori më të hershme që i lidh me Kosovën.

Presidenti i SHBA-së, Biden, sekretari Blinken, zv.ndihmës ekretari Eescobar, si dhe unë, e shumë zyrtarë të tjerë të Qeverisë amerikane, kemi kaluar një pjesë të madhe të jetës sonë profesionale duke u përpjekur të punojmë me Qeverinë dhe me njerëzit në Kosovë për të ndërtuar një të ardhme më të mirë”, ka deklaruar ai.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu