Këtë fundjavë një numër i madh i qytetarëve të Kosovës morën rrugën për në Shqipëri. Vetëm të premten, rreth 13 mijë qytetarë kaluan kufirin.
Qeveria e Kosovës ditë më parë mori masat e reja anti-COVID. Një ndër masat e marra ishte edhe mbyllja e gastronomisë në tërë territorin e Kosovës si dhe ndalimi i qarkullimit prej ora 22:00 deri në ora 05:00, çka bëri që këta qytetarë t’ia msyjnë Shqipërisë, shkruan Zeri.
Por, ata që qëndruan për fundjavë në shtetin shqiptar kur të kthehen a do të kenë nevojë për test anti-COVID dhe vetizolim?
Bazuar në vendimin e ekzekutivit të datës 5 prill, personat që hyjnë në Kosovë nga vendet me rrezik të lartë, në bazë të listë së Qendres për Kontroll dhe Parandalim të Sëmundjeve (ECDC), duhet ta kenë testit negativ RT- PCR.
Kosova po ashtu aplikon parimin e reciprocitetit me vendet që i kërkojnë qytetarëve të Kosovës të kenë testin, edhe shtetasit e tyre me rastin e hyrjes në Kosovë duhet ta kenë testin negativ RT-PCR.
“Qytetarët e huaj që hyjnë në Kosovë, përfshirë edhe ata me leje qëndrim të përkohshëm ose përhershëm në Kosovë, që vijnë nga vendet me risk të lartë sipas listës zyrtare të ECDC-së, duhet të kenë test RT-PCR negativ për COVID-19 të bërë në 72 orët e fundit, në bazë të parimit të reciprocitetit”, thuhet në pikën 2 të vendimit të Qeverisë.
Qytetarët të cilët vijnë në Kosovë nga vendet me risk të lartë duhet ta paraqesin vërtetimin për test negativ, në të kundërtën duhet të vetizolohen për shtatë ditë.
“Të gjithë qytetarët e Kosovës, gjatë hyrjes në Kosovë duhet të paraqesin vërtetim për test RT-PCR negativ të bërë më së largu 72 orë para hyrjes në Kosovë, në të kundërtën duhet të vetë-izolohen për 7 ditë”, thuhet tutje në pikën 4.
Përjashtim nga kjo, sipas këtij vendimi, bëjnë qytetarët që kanë dalë nga Kosova 24 orët e fundit.
“Përjashtim nga pika 4 e këtij vendimi, bëjnë qytetarët e Kosovës që kanë dalë jashtë Kosovës në 24 orët e fundit”, thotë pika 5 e vendimit të Qeverisë.
Sipas këtij vendimi, qytetarët të cilat shkuan në Shqipëri për fundjavë, nuk do të kenë nevojë për test e as për vetizolim kur të kthehen në Kosovë. /Zëri/









