Çka mendojnë Ostreni, Gashi dhe Selmani për kombinimet paszgjedhore?

Të ftuar në emisionin “360 gradë” të Alsat-M ishin, ish-kandidati për President, Imer Selmani, kryetari i Unitetit, Gëzim Ostreni dhe deputeti i Lëvizjes Besa Afrim Gashi. Ata komentuan mundësitë që ekzistojnë për formimin e qeverisë së re duke patur parasysh rezultatin e 11 dhjeorit – transmeton Zhurnal.

Sipas Imer Selmanit, për shkak të rezultatit të ngushtë BDI ka mundësi të kthejë autoritetin e humbur te shqiptarët por nëse vazhdon të pranojë kushtet e VMRO-DPMNE-së do të bëjë vetëvrasje politike. Edhe VMRO-DPMNE-ja ndodhet para një situate të palakmueshme, për të bërë koalicion me partitë shqiptare do të duhet të bëjë lëshime të cilat aq fuqishëm i kundërshtonte gjatë fushatës. Kjo situatë me siguri do të çojë deri te një qeveri LSDM-BDI si më pak e dhimbshme për të gjithë, madje edhe për VMRO-në.

Kryetari i Unitetit, Gëzim Ostreni deklaroi se situata faktike e pas zgjedhjeve i ka detyruar ata të dalin mbi interesat partiake dhe të ndihmojnë në formimin e një qeverie e cila do t’i realizojë kërkesat e motshme të shqiptarëve. Në takim e parë të partive shqiptarë nuk është folur për hapa konkret, por janë dakorduar që në ditët në vazhdim do të krijohen grupe pune të cilat do ta përpilojnë platformën e përbashkët. Ostreni nuk precizoi nëse do të bënin koalicion me VMRO-DPMNE-në.

Afrim Gashi, deputeti i sapozgjedhur i Lëvizjes Besa, përsëriti se arsyeja e mospranimit të ftesës së takimit ishte se ky takim është farsë me qëllim dhënien e legjitimitetit BDI-së, ndërsa partia e tij do t’i votojë të gjitha propozimet pozitive dhe për këto nuk ka nevojë që t’i delegohet legjitimiteti Ali Ahmetit. Sipas Gashit kriza dyvjeçare politike është pikërisht pasojë e qeverisjes VMRO-BDI ndërsa vota e 11 dhjetorit ishte qartësisht kundër kësaj politike. Prandaj edhe në qeverinë e re nuk duhet të përfshihen personat e inkriminuar dhe nën hetim nga PSP-ja. Edhe Gashi nuk pranoi të tregonte nëse Lëvizja Besa do ta votonte një qeveri hipotetike LSDM-BDI.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu