Conte: Sa shumë jemi rritur, Interi i humbiste këto ndeshje më parë

Napoli-Inter përfundoi në barazim 1-1. Sfida në “Diego Armando Maradona” ishte e bukur dhe plot emocione. Zikaltrit e Antonio Contes i dhanë fund ecurisë fantastike prej 11 fitoreve radhazi, por vazhdojnë të kryesojnë Serie A me 9 pikë mbi Milanin.

Trajneri i Interit vlerësoi për mediat lojën e djemve të tij, të cilët janë shumë afër fitimit të titullit kampion. “Jam shumë i lumtur dhe krenar për këtë grup djemsh, janë rritur shumë në të gjitha aspektet. Në kushte të tjera do kishim humbur ndaj Napolit, do ishim fikur pas golit që pësuam.

Nuk e meritonim humbjen, por mendoj se do të kishim vuajtur në aspektin psikologjik. Ndaj Napolit pamë një skuadër që e di se çfarë bën dhe e ka të qartë se çfarë dëshiron. Për ne është shumë e rëndësishme ajo që po bëjmë, por duhet të mos e humbasim përqendrimin.

Skuadra reagoi pas golit dhe kjo më gëzon, djemtë janë të qartë për forcën dhe cilësinë që kanë. Mos të harrojmë që u përballëm me një Napoli të kompletuar, një skuadër që cilësohej si një nga pretendentët për titull, por që nuk ka pasur fat.

Humbëm dy pikë krahasuar me Milanin, por është një barazim që duhet marrë në konsideratë. Sukseset e Interit vijnë nga rritja individuale e çdo lojtari, jo vetëm në aspektin futbollistik por edhe në atë karakterial dhe mental.

Ua përsëris gjithmonë djemve: dakord suksesi personal, dakord që po luani me Interin, por në fund të karrierës do të jetë bukur të uleni e të shihni atë që keni fituar“, deklaroi trajneri i ekipit kryesues të kampionatit italian.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu