Drejtori i Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve, Arsim Idrizi, në intervistën për Alsat ju bëri thirrje deputetëve që të mbështesin ndryshimet e Ligjit për Inspektoratin për Përdorimin e Gjuhëve, pasi që kjo është zgjidhja për të tejkaluar ngërçin që ka lënë 17 punëtorë pa rroga dhe ka paralizuar funksionimin e institucionit.
“Nga këtu i bëj apel që të gjithë deputetëve pavarësisht cilës parti, cilit koalicion i takojnë. Le ta kenë parasysh 5 muaj pa rroga janë 17 familje pa të ardhura të cilat për shkak mosmarrëveshjeve tona politike nuk po gjejmë zgjidhje. Le të kalojnë këto propozim-ndryshime të ligjit në Parlament që janë për zhbllokimin e rrogave, le të bëhet zhbllokimi i rrogave, menjëherë të nesërme të fillojmë një komision punues prej të gjithë faktorëve dhe të vendosim çka më tej me pozitën dhe çështjen e Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve. Dhe kush do të garanton se kjo nuk do të thotë shuarje e Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve zotëri Idrizi? Po nuk është ai qëllim, në bazë të takimeve që i kemi, në bazë të…”, tha Arsim Idrizi, Drejtor i Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve.
Idrizi, shpalosi se ekziston marrëveshje politike që Inspektoratit me ndryshime e ardhshme, t’i shtohet dhe kompetenca që të shqiptojë gjobë, dhe jo sikur deri më tani që thuajse askush nuk është ndëshkuar për mosrespektimin e Ligjit të Gjuhëve.
“Te studio e juaj, ekskluzivisht po e shpalos për herë të parë. Kemi marrëveshje politike që Inspektoratin ta bëjmë kuptimplotë dhe me fuqi dhe me kompetenca që i takon një inspektorati. Edhe këtë do ta fusim si preventivë që ai institucion prej këtyre ndryshimeve e andej, që nuk e zbaton përdorimin e gjuhëve, inspektori të ketë të drejtë aty për aty ta shqiptojë gjobën”, u shpreh Arsim Idrizi, Drejtor i Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve.
Lidhur me raportimet se inspektorët, inspektimet i kryejnë me automjete private ndërsa të vetmin automjet zyrtar që e ka Inspektorati e përdor drejtori, Idrizi thekson që automjetin e ka shfrytëzuar vetëm dy muaj dhe i njëjti nuk ka qenë i sigurt, prandaj nuk ua ka dhënë në përdorim inspektorëve. Idrizi, theksoi që megjithatë mjetet e shpenzuara për kryerjen e inspektimeve private, për dallim prej të kaluarës, tani iu kthehen të punësuarve, vetëm që duhet të mbushin formularë.
“Është një veturë zyrtare jofunksonale nëse s’gaboj është e vitit 2000. A e keni shfrytëzuar ju këtë veturë zyrtare, derisa keni pasur buxhet, derisa ka pasur karburant? E kam shfrytëzuar nëse s’gaboj dy muaj, nuk kam guxuar të lejoj atë veturë gjysëmfunksionale që t’ia lë, të nënshkruaj me dorën time, t’ua lë të punësuarve të bëjnë inspektim në Kërçovë apo Kumanovë. Ju thoni që ajo veturë nuk ka qenë e sigurt për t’ua lënë në dorë inspektorëve, por ka qenë e sigurt që ju vet të voziteni dy muaj me atë veturë? Më duket nuk po kuptohemi. Nuk ka qenë e sigurt për mua e pasigurt për ata, unë e kam shfrytëzuar pasi që unë e kam marrë përgjegjësinë vet, nëse më ndodh mua diçka, le të më ndodh mua. Por jo unë me dorën time…”, theksoi Arsim Idrizi, Drejtor i Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve./ Alsat.mk