“Disa vende të BE po luajnë rol të dyfishtë dhe dëshirojnë të arrihet marrëveshja në mes të Serbisë dhe Kosovës në të cilën ata nuk janë faktor udhëheqës”, ka deklaruar sot ministri i jashtëm i Serbisë Ivica Daçiq, dhe njëkohësisht ka përmendur angazhimin e përforcuar të SHBA në gjetje të marrëveshjes.
Duke u përgjigjur çfarë pret nga vizita e nënsekretarit amerikan për politikë të jashtme David Hale në Beograd dhe a po e merr Uashingtoni udhëheqjen në negociata, ka thënë se angazhimi i SHBA nuk mund ta zëvendësojë procesin negociator, por mund të ndihmojë me zhbllokimin e tij, nëse Prishtina i heqë taksat.
“Shumë delegacione nga SHBA tashmë kanë ardhur, të gjithë shkojnë në Prishtinë e pastaj “dalin pak” edhe te ne. Sa na përket neve, as nuk kanë nevojë të vijnë në Beograd, le ta zgjidhin me Prishtinën që t’i heqin taksat dhe shkojmë tutje”, ka porositur Daçiq pas takimit të Komitetit Ndërqeveritar në mes të Serbisë dhe Rusisë.
Ai ka pretenduar se “SHBA nuk mund të kuptojnë se si është e mundur që Prishtina nuk i heqë taksat”.
“Edhe për mua është e pabesueshme, dhe nga pak e dyshimtë gjithë kjo”, ka thënë Daçiq.
Ministri serb ankohet se të gjithë pranojnë se Prishtina është fajtore, por po e kritikojnë Serbinë se nuk ka lejuar pranimin e Kosovës në Interpol dhe që po lobon për tërheqje të njohjeve të pavarësisë së Kosovës, duke e fajësuar Serbinë se po e pengon dialogun.
“Të gjithë të cilët vijnë këtu me këtë temë, do ta marrin një përgjigje: derisa nuk kthehet gjendja e numrit të vendeve të cilat e kanë njohur Kosovën si të pavarur para Brukselit, Serbia nuk do të ndalet. Ne nuk jemi marrë vesh në Bruksel që Kosova të jetë anëtare e organizatave ndërkombëtare”, ka përfunduar Daçiq.









