Daçiqi i del në mbrojtje ministres serbe për deklaratën fashiste ndaj Kosovës

Zëvendëskryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, i ka dalë në mbrojtje ministres së Administratës Shtetërore, Snezhana Paunoviq, për deklaratën fashiste ndaj Kosovës.

Paunoviq në një intervistë për “Kurir”, u shpreh se po të ishte në vendin e Sllobodan Millosheviqit më 1998 do të bënte spastrim etnik në Kosovë. Megjithatë, sipas Daçiqit është i turpshëm dhe hipokrit reagimi ndaj saj.

“Dua të them se është e turpshme që deri tash asnjëherë s’kam dëgjuar fjalë nga politikanë të brendshëm që dënojnë spastrimin etnik të serbëve nga Kosova. Në kushtet ku edhe sot kemi emigrim të detyruar të serbëve nga Kosova, ndryshim të strukturës etnike, për të mos e përmendur presionin shekullor, emigrimin dhe dëbimin e serbëve nga Kosova, ende njerëzit flasin për këtë në Serbi dhe na akuzojnë për gjoja spastrim etnik në Kosovë”, ka thënë Daçiqi, duke bërë të ditur se po reagim si zëvendëskryeministër i shtetit.

Sipas tij, nga Kosova janë dëbuar 240 mijë serbë më 1999 dhe më pak se 10 mijë prej tyre janë kthyer, sipas njoftimit nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Daçiqi ka përsëritur pretendimin se historikisht “Kosova ka qenë territor i Serbisë”.

“Dhe tani Snezhana Paunoviq është fajtore për spastrim etnik? Turp. Ajo ka thënë të gjithë ata që nuk e ndiejnë Serbinë duhet të rikthehen në vendin e tyre të origjinës, shtetin e Shqipërisë. Çfarë lloji i spastrimit etnik është ky kur ka më pak serbë se që ka shqiptarë? Si mund të jetë kjo? Epo Holokausti nuk përfundoi me më shumë hebrenj sesa para Holokaustit. Pra është legjitime të ndiqen dhe të vriten serbët, të thuhet se serbët duhet të largohen, të dëbohen serbët dhe nuk është legjitime të thuhet diçka në mbrojtje të Serbisë”, ka thënë Daçiq.

Paunoviq në intervistë ka thënë e sipas saj, spastrimi etnik i Kosovës, do të parandalonte “bombardimet e NATO-s, vuajtjet e popullit serb, pogromin pasues, shpalljen e pavarësisë dhe ngjarjet që pasuan”.

Deklaratat e saj nxitën reagimin e disa partive opozitare në Serbi. Lidhja e Socialdemokratëve të Vojvodinës (LSV) i ka quajtur fashiste, duke kërkuar shkarkim të saj. edhe Partia e Qendrës së Serbisë i ka bërë thirrje kryeministrit Gjuro Macut shkarkim dhe dalje me deklaratë.

Gjatë ditës, edhe Bashkimi Evropian ka bërë thirrje që politikanët në Serbi të përmbahen nga deklarata nxitëse dhe të respektojnë detyrimet nga normalizimi i raporteve me Kosovën. Këtë e ka thënë zëdhënësja për politikë të jashtme e BE-së, Anita Hiper.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu