Rreth orës 10 e 30 minuta të paradites së sotme është grabitur filiali i bankës NLB që gjendet përballë komunës së Çairit. Gjatë hyrjes së dhunshme grabitësit kanë sulmuar fizikisht personin me iniciale E.E që ka punuar si sigurim i Bankës. Pasoja tjera për punonjësit dhe klientët e pranishëm nuk ka pasur. Nga burimet jozyrtare mësohet se janë vjedhur rreth 100 mijë euro. Gjithashtu janë siguruar edhe pamjet e automjetit Golf 5 që po digjej rreth 2 kilometra nga filiali i bankës, shkruan InfoShqip.com
Tashmë policia po kërkon 4 persona, ndërkohë që dy orë pas grabitjes së armatosur te varrezat e Butelit policia ka gjetur një veturë të djegur të markës, “Golf 5” për të cilën besohet se është e grabitësve.
Ministria e Punëve të Brendshme në njoftimin e saj bën të ditur:
“Në orën 10.36 është paraqitur grabitje nga ana e disa personave me armë në bankën në rrugën ‘Ferid Bajram’ ku kanë marrë para. Nga ana e kryerësve të veprës është sulmuar personi me iniciale E.E (26) i cili është i punësuar si pjestarë i sigurimit në bankë. Persona të lënduar nga armët nuk ka. Menjëherë pas marrjes së paraqitjes, janë marrë masat dhe aktivitetet nga shërbimi policor.”
Gjithashtu edhe shërbimet e NLB Tutunska Bankës nëpërmjet një komunikate kanë njoftuar për grabitjen. Ata konfirmojnë se në kohën e grabitjes brenda ka pasur edhe klientë. Nga kjo bankë theksojnë se edhe klientët edhe të punësuarit e bankës janë të sigurtë dhe në gjendje të mirë. Nga NLB njoftojnë klientët e tyre se mjetet e tyre janë të sigurta, pasi banka ka sigurim të të gjithë pronës dhe mjeteve.
NLB Tutunska Banka në komunikatën për media thotë:
“Në këtë moment banka po bashkëpunon me organet kompetente me qëllim zgjidhjen sa më të shpejtë dhe në mënyrë efikase të rastit. Mjetet e klientëve tanë janë të sigurta, sepse banka ka sigurim të të gjithë pronës dhe mjeteve. Paralelisht, ne punojmë me autoritetet hetuese për të përcaktuar sasinë e dëmit të bërë, për të cilën do ta informojmë publikun në mënyrë shtesë shtesë.”
Nga Ministria e Punëve të Brendshme po punojnë për zbardhjen e rastit, ndërkohë kanë njoftuar se do të ketë më tepër detaje lidhur me këtë rast. /InfoShqip.com
Video: