Kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, i është drejtuar sot me një reagim të ashpër publik liderit të VMRO-DPMNE-së dhe kryeministrit Hristijan Mickoski, duke kërkuar veprim të menjëhershëm kundër, siç thotë ajo, krimit të organizuar të lidhur me ndërtimet pa leje në Çair dhe figura të larta të BDI-së.
“Mickoski, sot të drejtohem si grua, si njeri, si kryetare. Le të të jenë të qarta fjalët që po të them, sepse kemi më shumë se 3 vjet që i ndalojmë ndërtimet pa leje të Ganiut dhe dorëzojmë dokumente në institucione, por askush nuk reagon!” – shkruan Arsovska në reagimin e saj.
Ajo ngre disa pyetje të drejtpërdrejta për Mickoskin:
1. Cilin nga kriminelët e BDI-së e ke ndaluar apo arrestuar gjatë një viti në pushtet të plotë?
2. Pse nuk ka filluar asnjë procedurë për krime të dëshmuara?
3. A je i vetëdijshëm se Ganiu, Meçiti dhe Ademi janë pjesë e pushtetit për më shumë se 20 vjet?
4. A do të veprosh kundër tyre, apo do të vazhdosh t’i mbrosh?
Arsovska përmend gjithashtu se ndërtimet pa leje në Çair janë tentuar të legalizohen në mënyrë të paligjshme, madje në vitin 2025 janë paraqitur falsifikime për t’i regjistruar ato në Kadastër, çështje për të cilën është paraqitur edhe kallëzim penal.
“E kemi kapur Ganiun me fakte, dhe në vend që të na mbrosh institucionalisht, ti po e mbron publikisht. Po e quan ‘zotëri’ në emisione televizive, ndërkohë që ai më ka kërcënuar, më ka bërë presion për të mos e zbardhur krimin.”
Ajo e akuzon drejtpërdrejt Mickoskin për bashkëpunim të heshtur me persona që, sipas saj, kanë ndërruar flamur politik për të shpëtuar vetën.
“Nëse nuk je i përfshirë në krimin e tyre, atëherë vepro dhe arrestoji! Nëse je i përfshirë, atëherë je bashkëpunëtor. Unë nuk tërhiqem, sepse për çdo gjë kemi prova. Nuk i trembem askujt.”
Në fund, ajo thekson se drejtësia nuk duhet të vonojë dhe se askush nuk duhet të jetë mbi ligjin – as për shkak të partisë, e as për shkak të etnisë.