Daut Beqiri ose Skender Isufi? Haraçina do të ketë kryetar të ri

Pas zgjedhjeve lokale të tetorit Haraçina do të ketë kryetar të ri.
Në këtë komunë gara do të zhvillohet mes Daut Beqirit (VLEN) dhe Skender Isufit (FE), të cilët zyrtarisht kanë shpallur kandidaturën e tyre.

Në prononcimin e tij të parë Dauti Beqiri tha se koha është që veprat vullnetare t’i shndërrojnë në vepra institucionale.

“Kërkesë e cila ishte tepër insistuese edhe nga udhëheqësit e koalicionit Vlen , ku fuqishëm mbështesin ndryshimin edhe në Haraçinë. Kjo kërkesë nga bashkëvendësit tanë më bën që të ndjehem tepër krenarë dhe i nderuar. Por kjo për mua është përgjegjësi e madhe”, tha Beqiri.

Kundërkandidati i tij, Skender Isufi, përmes një statusi në facebook theksoi se është koha që të ndërtojnë një të ardhme që fëmijët e meritojnë – të pastër, të drejtë dhe plot mundësi.

“Unë nuk premtoj mrekulli, por premtoj punë të ndershme, besnikëri ndaj popullit dhe vendime të guximshme për të mirën e përbashkët. Dua një Haraçinë ku të rinjtë nuk ikin, por kthehen. Një komunë me infrastrukturë moderne, shkolla cilësore, shëndetësi të përmirësuar dhe shërbime që respektojnë çdo qytetar”, tha Isufi.

Aktualisht me Haraçinën udhëheq Ridvan Ibrahimi, kuadër i BDI-së. Në zgjedhjet e ardhshme ai nuk do të garojë për shkak se BDI dhe Fronti Europian vendosën që në këtë komunë të mbështesin një kandidatë të Aleancës për Shqiptarët – Krahu i Ziadin Selës.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu