Në zgjedhjet lokale të tetorit, gara për kryetar të Komunës së Gostivarit pritet të jetë mjaft e ngushtë. Tre kandidatë tashmë kanë shpallur zyrtarisht kandidaturën e tyre. Më e reja është kandidatura e Sebaedin Dautit nga VLEN.
“Zotri Dauti konkretisht është i afërt me ASh-në, por kjo për neve nuk është me rëndësi. Me rëndësi është që VLEN të fitojë në cdo komunë dhe jemi përpjekur në këtë drejtim të kemi kandidaturat më të mira të mundshme”, tha Arben Fetai nga VLEN.
Fronti Europian në Gostivar do të garojë me Valbon Limanin, kandidat i cili vjen nga radhët e Aleancës për Shqiptarët – krahu i Arben Taravarit. Ai aktualisht drejton komunën dhe tashmë ka nisur fushatën. Së fundmi bashkë me kandidatët tjerë dhe kryetarin e partisë Arben Taravari ishin për vizitë në Pogradec.
Ndërkohë, ekonomisti Visar Ademi ka vendosur të kandidojë si i pavarur. Ai u dërgoi letër të hapur rivalëve të tij, duke i uruar për kandidaturat dhe duke i ftuar në një kafe të përbashkët të dielën në mëngjes.
“Përpara se të shkojmë drejt një debati publik, dëshiroj t’ju ftoj të dyve në një kafe të përbashkët nesër, të Diellën, në orën 10:00, në Kafe “Minjon” skaj lumit. Kjo do të ishte një mundësi e mirë që të ulemi në një atmosferë miqësore, të shkëmbejmë mendime dhe të japim një shembull qytetarie përpara se gara të hyjë në fazat e saj më energjike”, potencoi Visar Ademi – kandidat i pavarur për Gostivarin.
Rezultati pritet të jetë vendimtar për balancat politike në këtë komunë dhe mund të ketë ndikim edhe në skenën politike më të gjerë.