Debat për shumicën e Badenterit: Reagime të ashpra nga BDI pas deklaratës së ministrit të Drejtësisë

Deklarata e ministrit të Drejtësisë, Igor Filkov, se “ndoshta ka ardhur koha të rishikohet shumica e Badenterit”, ka nxitur reagime të ashpra nga Bashkimi Demokratik për Integrim.

Zëdhënësi i BDI-së, Arbr Ademi, tha se po u jepet hapësirë ideve të rrezikshme që ngjajnë me ato të viteve ’90, të cilat sollën luftëra e tensione në rajon. Ai akuzoi Qeverinë se ka agjendë për të dobësuar Marrëveshjen e Ohrit, duke përmendur heqjen e balancuesit, mosrespektimin e përfaqësimit të drejtë dhe shkeljen e Ligjit për gjuhën shqipe. Sipas tij, çdo tentim për ta anashkaluar Badenterin është sulm ndaj rendit kushtetues dhe bashkëjetesës ndëretnike.

Edhe nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani, reagoi duke thënë se kjo konfirmon se “plani për çmontimin e Marrëveshjes së Ohrit po realizohet hap pas hapi”.

Debati erdhi pas votimit në Kuvend, ku ndryshimet në Kodin Zgjedhor – që synonin rregullimin e numrit të nënshkrimeve për kandidatët e pavarur – nuk morën shumicën e Badenterit. Megjithëse u miratuan me shumicë të përgjithshme (67 vota pro dhe 18 kundër), ato ranë në votimin sipas parimit të Badenterit, pasi nga deputetët e komuniteteve joshumicë 11 votuan pro dhe 18 kundër.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu