Deklarata e papritur e Putinit: Rusia “gati të negociojë” për Ukrainën

Rusia është e gatshme të negociojë me të gjitha palët e përfshira në luftën në Ukrainë, tha presidenti Vladimir Putin, ndërsa akuzoi Kievin dhe aleatët e tij perëndimorë për “refuzim” për të negociuar.

Duke folur në një intervistë për televizionin shtetëror Rossiya 1, Putin tha:

“Ne jemi të gatshëm të negociojmë me të gjithë të përfshirët për zgjidhje të pranueshme, por kjo varet nga ata, nuk jemi ne që refuzojmë të negociojmë, po ata.”

Ai shtoi se Rusia po vepronte në “drejtimin e duhur” në Ukrainë, sepse perëndimi, i udhëhequr nga SHBA, po përpiqej ta ndante Rusinë. Ai vazhdoi:

“Besoj se po veprojmë në drejtimin e duhur, po mbrojmë interesat tona kombëtare, interesat e qytetarëve tanë, të popullit tonë. Dhe ne nuk kemi zgjidhje tjetër veçse të mbrojmë qytetarët tanë.”

Moska ka thënë vazhdimisht se është e hapur për negociata, por Kievi dhe aleatët e tij dyshojnë se pretendimet e Putinit janë një dredhi për të fituar kohë pas një sërë humbjesh dhe tërheqjesh ruse në fushën e betejës.

Presidenti rus tha të enjten se Moska “do të përpiqet” për t’i dhënë fund luftës dhe se kjo në mënyrë të pashmangshme do të përfshijë “një lloj negociatash në rrugën diplomatike”.

Komentet e tij erdhën një ditë pasi presidenti Volodymyr Zelensky vizitoi SHBA-në.

John Kirby, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, tha se Putini “ka treguar absolutisht zero shenja se ai është i gatshëm të negociojë” për një fund të luftës.

“Përkundrazi,” tha Kirby, duke shtuar: “Gjithçka që ai po bën në tokë dhe në ajër flet për një njeri që dëshiron të vazhdojë dhunën mbi popullin ukrainas.”


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu