Kryeministri dhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, pret që fushata parazgjedhore për zgjedhjet lokale të zhvillohet mbi projekte konkrete, por, siç thotë ai, BDI, në vend që të flasë për të ardhmen, “na kthen 30 vjet pas” dhe imponon tema nga e kaluara.
“Pres një fushatë me ide dhe plane për shkolla të reja, salla sportive, autostrada… Por është e qartë se BDI, së bashku me një pjesë të strukturave opozitare dhe mediat pranë tyre, po përpiqen të krijojnë një atmosferë në të cilën votuesit, sidomos ata që nuk janë shqiptarë, do të frikësohen për kë të votojnë. Qëllimi i tyre është ose të votojnë për BDI-në, ose të mos votojnë fare për ‘Vlen’. Ata duan të dekurajojnë mbështetësit e koalicionit ‘Vlen’, duke i shtyrë votuesit të mendojnë: ‘Të gjithë janë njësoj, nuk votojmë’,” tha Mickoski.
Ai paralajmëroi se BDI “po luan me kartën e kujtesës së shkurtër” dhe u bëri thirrje qytetarëve të zgjedhin mes, siç tha ai, konceptit që për më shumë se 20 vjet e ka shkatërruar shtetin dhe konceptit që dëshiron të ndërtojë të ardhmen. “A do të biem në kurthin e tyre dhe të komentojmë tema nga para 20 vitesh, apo do të flasim për salla të reja sportive, autostrada dhe shkolla? Shikoni kandidatët që ofron BDI-ja dhe kandidatët që ofron koalicioni qeveritar. Ata janë fajtorët pse një pjesë e madhe e të rinjve shqiptarë kanë lënë vendin,” tha lideri i VMRO-DPMNE-së.
Mickoski u ndal edhe te deklarata e fundit e zëvendëskryeministrit Izet Mexhiti, se lufta e vitit 2001 ishte “e arsyeshme dhe e drejtë”.
“Nuk pajtohem me këtë. Nuk mund të quhet e arsyeshme që nga prita të vriten policë maqedonas. Këto janë tema nga e kaluara, të mbyllura me Marrëveshjen e Ohrit. Fokusi ynë është e ardhmja. U bëj apel të gjithë politikanëve të arsyeshëm të mos luajnë me kartën e BDI-së, por të sjellim investime dhe ta bëjmë këtë vend më të mirë për të jetuar. Politikanët që ndanë popullin në të kaluarën nuk kanë të ardhme,” deklaroi Mickoski.
Ai shprehu bindjen se koalicioni qeveritar do të jetë fitues absolut në zgjedhjet e ardhshme lokale.