Delegacioni i ASH-së takime në Tiranë

Një delegacion i lartë i Aleancës për Shqiptarët, i kryesuar nga Kryetari i partisë, Dr. Arben Taravari, zhvilloi një vizitë zyrtare në Republikën e Shqipërisë, gjatë së cilës realizoi një sërë takimesh me përfaqësues të lartë të Partisë Socialiste të Shqipërisë.

Në përbërje të delegacionit ishin znj. Elfete Ismaili, kryetare e Forumit të Gruas, z. Flakron Bexheti, sekretari organizativ z. Gadaf Uzeiri, deputetët z. Rijad Shaqiri dhe z. Sadik Sulejmani, anëtari i Kryesisë qendrore, si dhe z. Nedim Izeiri. Ata u pritën ngrohtësisht nga Sekretari i PS-së, z. Blendi Klosi, dhe Sekretarja për Marrëdhënie me Jashtë, znj. Romina Kuko.

Takimet u zhvilluan në një atmosferë konstruktive, ku u diskutua mbi forcimin e marrëdhënieve ndërpartiake, bashkëpunimin rajonal dhe shkëmbimin e përvojave në fushën e organizimit dhe funksionimit politik. Delegacioni i ASH-së shprehu gjithashtu urimet e përzemërta për fitoren e Partisë Socialiste në zgjedhjet e fundit në Shqipëri.

Gjatë diskutimeve u theksua nevoja për thellimin e bashkëpunimit në interes të çështjes kombëtare, si dhe ndërtimi i urave të reja komunikimi për koordinim të politikave që përfaqësojnë interesin e shqiptarëve në rajon.

Vizita u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të lidhjeve politike dhe nxitjes së bashkëpunimit mes forcave progresiste shqiptare në të dy anët e kufirit.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu