Ish anëtarja e Vetëvendosjes, Aida Dërguti, ka folur për procesin e demarkacionit të vizave gjatë periudhës kur duhej votuar demarkacioni i kufirit me Malin e Zi.
Në atë kohë, ajo thotë se Kosovës i ishte ofruar të futje në pako me Gjeorgjinë dhe Ukrainën, por një pjesë e pushtetit të atëhershëm [LDK] kishte refuzuar.
Kujtojmë që Shpejtim Bulliqi kishte qenë deputet i LDK-së që kishte nisur kundërshtimet nga kjo parti për këtë çështje, e i cili më pas ishte bërë edhe kryetar i Komisionit për Demarkimin e Kufirit, përcjell Periskopi.
Edhe Vjosa Osmani kishte qenë deputete hezituese, por e cila më pas megjithatë e kishte votuar një vit më vonë. Bulliqi sot është kryetar i komunës së Podujevës nga VV ndërsa Osmani është presidente e vendit pas koalicionit parazgjedhor me këtë parti.
“Votimi i demarkacionit gjatë qeverisë Haradinaj ishte si kofini pas të vjelave. Treni iku!” – përfundon fjalën e saj ish deputetja.
Statusi i plotë:
“Nuk është e vërtetë se nuk kemi liberalizim të vizave për shkak të imazhit. Shansin e liberalizimit e kemi humbur me mosvotim të demarkacionit gjatë qeverisjes së koalicionit LDK-PDK, kur na ofrohej që të futeshim në pako (për votim në BE) me Gjeorgjinë dhe Ukrainën dhe në këtë mënyrë detyroheshin edhe pesë shtetet mosnjohëse të na votonin. Votat e opozitës për demarkacion nuk ishin të nevojshme, ama të grupit kundërshtues brenda LDK ishin të domosdoshme.
Votimi i demarkacionit gjatë qeverisë Haradinaj ishte si kofini pas të vjelave. Treni iku!“- shkruan në post.









