Detaje nga takimi i Kurtit me pesë diplomatët

Në Prishtinë paraditen e sotme qëndruan përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajčák, të dërguarit e Gjermanisë dhe Francës, Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne, i dërguari i Italisë, Francesco Maria Talò dhe emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Pas takimit të kryeministrit, Albin Kurtit me pesë diplomatët Qeveria ka dalur me një njoftim.

Në takimin që zgjati më shumë se dy orë, Qeveria thotë se u fol për propozimin evropian.

Kurti ka shprehur gatishmërinë e tij për të zhvilluar takime tjera të nivelit të lartë politik, në kuadër të procesit dialogues me Serbinë, duke iu referuar takimeve me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Kështu u tha në njoftimin për media të Kryeministrisë, pas takimit që ky i fundit, bashkë me zëvendësin e tij, Besnik Bislimi, zhvilluan me pesëshen e emisarëve ndërkombëtarë gjatë ditës së sotme.

“I falënderoi të gjithë emisarët dhe vendet e tyre për përkushtimin dhe angazhimin në procesin e dialogut dhe rrugën përpara, duke shprehur gatishmërinë e tij për takime të radhës të nivelit të lartë politik dhe intensifikim të procesit”, – u theksua në njoftimin e Kryeministrisë.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti i shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi u takua sot me përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajčák, këshilltarët për polikë të jashtme dhe siguri të Kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz dhe të Presidentit të Francës, Emmanuel Macron, z. Jens Plötner dhe z. Emmanuel Bonne, këshilltarin diplomatik të Kryeministres së Italisë, Giorgia Meloni, Francesco Maria Talò dhe Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike dhe njëherësh të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar”, – thuhet në njoftim.

Më tej në njoftim thuhet se, kjo është hera e dytë që kryeministri Kurti priti në takim këshilltarët për politikë të jashtme dhe siguri, Plötner dhe Bonne, pas takimit të parë më 9 shtator 2022. Kësaj radhe atyre iu bashkëngjitën edhe këshilltari diplomatik i Kryeministres së Italisë, Talò dhe emisari amerikan, Escobar. Për më shumë se dy orë u diskutua për propozimin evropian, të cilën Kryeministri Kurti e vlerëson si bazë të mirë për diskutim të mëtejshëm për të ecur përpara drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me njohje reciproke në qendër. U diskutua edhe për të drejtat e pakicave, për çka kryeministri ka shprehur konsideratën edhe në kornizën e përgjithshme për marrëveshje të propozuar nga vetë ai me 18 gusht 2022 në Bruksel. Kryeministri Kurti, ndër të tjerash, theksoi nevojën e Kosovës për njohjen nga shtetet mosnjohëse dhe anëtarësimin në organizata kyçe ndërkombëtare dhe trans-atlantike.

Ai i njoftoi emisarët për të arriturat dhe sukseset e Kosovës në vitin që lamë pas në fushën e sundimit të ligjit, për reformat e ndërmarra, progresin demokratik dhe ekonomik, si dhe për aplikimin e Kosovë në Këshillin e Evropës në maj të vitit të kaluar dhe në Bashkimin Evropian në dhjetor, si hapa historik për Kosovën.

I falënderoi të gjithë emisarët dhe vendet e tyre për përkushtimin dhe angazhimin në procesin e dialogut dhe rrugën përpara, duke shprehur gatishmërinë e tij për takime të radhës të nivelit të lartë politik dhe intensifikim të procesit.

Pas këtij takimi, emisarët udhëtuan për në kryeqytetin e fqinjit verior të Republikës së Kosovës.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu