Dibra e folklorit, themelohet Shoqata Kulturore Artistike “Dibra e Madhe”

Themelimi i shoqërisë “Dibra e Madhe”, jep mundësi për të gjithë dashamirët e muzikës e veçmas asaj folklorike të vijnë në shprehje dhe të prezantojnë Dibrën në mënyrë më të bukur në sferën e muzikës.

Shoqëria kulturo artistike “Dibra e Madhe”, e cila u themelua para disa muajve, ia kthen imazhin folklorit dibran meqë është një shoqëri e cila themelohet pas një dekadë amulli në këtë sferë. Para një dekade funksiononte SHKA “Liman Kaba”, “Haki Stërmilli”, pastaj edhe shoqëria “Dibra”, por disa vite me radhë qyteti i muzikës dhe folklorit të pasur mbet pa shoqëri kulturo artistike. Me iniciativë të pushtetit vendor dhe rapsodëve si dhe muzicientëve dhe këngëtarëve dibran, definitivisht u themelua edhe një shoqëri e cila pritet të jetë një reprezent i muzikës dibrane.

Kryetari SHKA “Dibra e Madhe”, Miçe Duka na informoi se vetëm për pak muaj ka patur prezantime, pjesëmarrje dhe koncerte në Dibër, si dhe në Shqipëri dhe Kosovë. “Pas promovimit të shoqërisë ‘Dibra e Madhe’, në Dibër morëm pjesë në disa manifestime kombëtare që u mbajtën në Kosovë edhe atë në disa qytete, pastaj patëm koncerte edhe në Shqipëri. Morëm pjesë me shumë sukses në festivalin e Peshkopisë dhe në fund edhe në manifestimet për Ditën e verës. Por, sipas programit vjetor presim shumë aktivitete dhe prezantime të folklorit dibran edhe gjatë vitit 2023”, thotë kryetari i shoqërisë Miçe Duka. Ai për gazetën KOHA thotë se qëllimi kryesor i shoqërisë është që në mënyrë origjinale të prezantohet folklori dibran i cili është shumë i pasur. Në këtë drejtim sipas tij, kryesojnë rapsodët dibran, vëllezërit Lala, Ibrahim dhe Elmas, Mislim Strikçani, Bajram Klloboçishta, Dini Radoveshi, etj. Dibra ka shumë rapsodë të cilët me të vërtet në repertuarin e tyre kanë shumë këngë të vjetra dibrane të cilët trajtojnë patriotizmin historinë, dhe figurat të personaliteteve të cilët kanë kontribuar për Dibrën dhe kombin. “Në të gjithë paraqitjet tona duartrokitjet kanë qenë frenetike meqë edhe këngët e Dibrës janë një histori në vete”, thotë kryetari i shoqërisë.

Një vëmendje e veçantë i kushtohet edhe valleve tradicionale dibrane. Vallja dyshe ishte dhe do të jetë dominante në programet tona edhe gjatë këtij viti. Rapsodi dhe këngëtari i njohur dibran Bajram Klloboçishta ka deklaruar se edhe pse i takon gjeneratës më të re, ka një traditë familjare sa i takon këngëve të vjetra folklorike. Ai thotë se themelimi i shoqërisë “Dibra e Madhe”, jep mundësi për të gjithë dashamirët e muzikës e veçmas asaj folklorike të vijnë në shprehje dhe të prezantojnë Dibrën në mënyrë më të bukur në sferën e muzikës. Valltarët Zenjel Beqiri dhe Lulzim Lela me të vërtet mahnitën publikun jo vetëm në Dibër por edhe në trojet e tjera shqiptare. Me koordinatoren e grupit valltar Arjeta Jani, shoqëria tani ka një kuadër shumë të mirë të valltarëve. Ajo bashkëpunon me koreograf të njohur kombëtar dhe siç thotë me sukses vendos në skenë vallet tradicionale dibrane. Ka shumë valle dibrane të cilët me shumë interes ndiqen nga publiku.

Të theksojmë se aktivizimin të shoqërisë “Dibra e Madhe” e kanë përshëndetur të gjithë dibranët pa marrë parasysh se ku ata jetojnë. Kryesia e shoqatës thotë se aktualisht përveç provave të rregullta, shoqëria ka kontakte me donatorë të ndryshëm me qëllim të kompletohet shoqëria me veshjet tradicionale dibrane si dhe instrumentet të një kualiteti sa më të lartë. Komuna Dibër i ka mundësuar shoqërisë edhe një hapësirë që gjendet në Qendrën për kulturë. Planet të shoqërisë janë që gjatë këtij viti përveç në trojet shqiptare të prezantohet edhe në festivalet ndërkombëtare.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu