Me ndërtimin të pendës të Liqenit artificial të Dibrës, në fund të viteve të 60-ta, dibranët filluan të ballafaqohen me problemin e mjegullës. Nga viti në vit, mjegulla është më prezente në Dibër dhe rajon, kurse pesë vitet e fundit – dendësia e mjegullës është maksimale. Këto ditë qyteti i Dibrës, por edhe rrethina janë mbuluar tërësisht me mjegull.
Mjegulla është duke shkaktuar probleme të shumta tek personat që kanë probleme me shëndetin sidomos me organet respiratore, por edhe në komunikacion. Mjegulla është prezente gjatë 24 orëve dhe ajo dukshëm ka ndikuar në frekuentimin e qytetarëve nëpër rrugët e qytetit. Aktualisht, të rrallë janë ata të cilët dalin nga shtëpitë e tyre dhe kanë nevojë për furnizime të ndryshme.
“Edhe pandemia nuk e boshatisi Dibrën, ashtu siç po e boshatis mjegulla”, na thotë dibrani Ilir T. i moshës 54 vjeçare. Në bisedën që patëm me përfaqësues të Spitalit të Përgjithshëm në Dibër, u informuam se pesë ditët e kaluara dukshëm është rrit numri i pacientëve kronik që kanë probleme me frymëmarrjen që kërkojnë tretman në këtë institucion. Të njëjtën e thonë edhe mjekët amë që funksionojnë në Dibër.
Situata me mjegullën ka shkaktuar shumë probleme edhe në komunikacion. Siguria në komunikacionin në rrugët lokale është problematike dhe e njëjta situatë është edhe në rrugët rajonale që lidhin Dibrën me Mavrovën. Rrugët e ngushta në një situatë kur mjegulla është e dendur paraqet një problem të madh meqë në akset rrugore në fjalë ka edhe rrëshqitje të gurëve dhe dheut.
Kompetentët e Njësisë së ndërmarrjes publike shtetërore “Rrugët e Maqedonisë” në Dibër thonë se rrugët rregullisht pastrohen nga rrëshqitjet e gurëve dhe dheut, por shtojnë se mjegulla e dendur shkakton probleme në komunikacion. Në fshatrat malor të Dibrës dhe rajonit, siç janë Broshtica, Mogorçe dhe Kosovrats i Epërm, mjegull nuk ka. Fshatarët theksojnë se pamjet nga këto fshatra drejt Dibrës më shumë i ngjajnë një liqeni meqë nga këto fshatra faktikisht duken vetëm malet që e rrethojnë qytetin e Dibrës.









