Digjet manastiri i shekullit 17 në Ukrainë: Kush ja vuri flakën?

Ukraina fajëson forcat ruse për djegien e Manastirit të Gjithë Shenjtorëve të Malit të Shenjtë Lavra në Ukrainën lindore, ndërsa Rusia akuzon forcat ukrainase se i vunë zjarrin atij gjatë tërheqjes.

Gjithashtu ka folur edhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i cili në platformën Telegram ka akuzuar Rusinë se i ka vënë zjarrin këtij manastiri të shekullit të 17-të, i cili është shpallur monument kulture.

“Okupatorët e dinë se çfarë granatojnë. Ata e dinë se nuk ka objektiva ushtarakë në territorin e Lavrës Svyatogorsk, se rreth 300 civilë janë fshehur atje nga lufta, përfshirë 60 fëmijë. Rusët ende po bombardojnë Lavrën, si dhe pjesën tjetër të Donbasit”,
tha Zelensky, raporton BBC.

Ai përsëriti thirrjen e tij që Rusia të përjashtohet nga UNSECO.

“Çdo kishë që Rusia i vuri flakën në Ukrainë, çdo shkollë e hedhur në erë, çdo pikë referimi kulturore e shkatërruar dëshmon se nuk ka vend për Rusinë aty”, tha Zelensky.

Më herët, Ministria ruse e Mbrojtjes fajësoi trupat nacionaliste ukrainase për zjarrin në Manastirin e Gjithë Shenjtorëve të Lavrës së Malit të Shenjtë.

Në një deklaratë të Ministrisë ruse të publikuar në Telegram thuhet se anëtarët e Brigadës së 79-të të Sulmimit Ajror të Ukrainës “i vunë flakën një manastiri prej druri” gjatë tërheqjes nga Svyatogorsk.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu