Kryetari i Lëvizjes ZNAM, Maksim Dimitrievski, deklaroi për Sitel TV se shteti duhet t’i japë fund standardeve të dyfishta dhe “reprizave” nga e kaluara. Duke u ndalur te vendimi për paraburgim ndaj Artan Grubi, Dimitrievski theksoi se është dërguar një mesazh i qartë se institucionet duhet të veprojnë në mënyrë të barabartë për të gjithë, duke shtuar se ministri i Drejtësisë, Fillkov, ka vepruar në mënyrë parimore dhe të përgjegjshme, në përputhje me kompetencat e tij ligjore. “Maqedonia është shtet dhe duhet të sillet seriozisht përballë këtyre sfidave. Është e papranueshme që një person i cili e ka lëshuar shtetin dhe kthehet pas 14 muajsh të qëndrojë në shtëpi, të pijë çaj dhe të shikojë TV, ndërkohë që qytetarë të tjerë përfundojnë në paraburgim për vepra shumë më të vogla. Qytetarët duhet të jenë të barabartë para ligjit”, deklaroi ai.
Ai theksoi se ZNAM ka hyrë në qeveri për të garantuar respektimin e Kushtetutës dhe ligjeve, duke paralajmëruar se nuk do të lejojnë rikthimin e praktikave të vjetra. “Nëse shohim elemente të një reprize, do ta rishqyrtojmë pjesëmarrjen tonë në qeveri”, nënvizoi Dimitrievski.
Sa i përket spekulimeve për një koalicion të mundshëm mes VMRO-DPMNE dhe BDI, ai tha se nuk ka njohuri për një marrëveshje të tillë, por u shpreh i prerë. “ZNAM nuk do të ketë përfaqësues në qeveri nëse kjo BDI, e pareformuar, bëhet pjesë e ndonjë qeverie të ardhshme”, tha ai.
Lidhur me paralajmërimet për ndryshime që kanë të bëjnë me provimin e jurisprudencës, Dimitrievski theksoi se ZNAM nuk do të mbështesë kërkesat e studentëve shqiptarë që provimi i jurisprudencës të jepet në gjuhën shqipe, duke argumentuar se ligji aktual parasheh që ky provim profesional të zhvillohet në gjuhën maqedonase si gjuhë zyrtare në të gjithë territorin e shtetit.
Sipas tij, ndryshimet eventuale në këtë drejtim do të krijonin, siç u shpreh, “disbalancë në sistem” dhe rrezik për paralelizëm institucional. Ai nënvizoi se shteti ligjor duhet të jetë unik dhe funksional për të gjithë qytetarët, ndërsa çdo reformë duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe kornizën ligjore ekzistuese.
“Ne angazhohemi për një shoqëri multietnike ku të gjitha komunitetet respektohen dhe gëzojnë të drejta të barabarta, por nuk do të mbështesim zgjidhje që cenojnë funksionimin unik të sistemit juridik”, deklaroi Dimitrievski, duke shtuar se ZNAM do të votojë kundër çdo propozimi ligjor që do të mundësonte dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Ai ritheksoi se partia e tij do të mbetet konsistente në qëndrimet e saj për, siç tha, ruajtjen e unitetit të sistemit juridik dhe respektimin strikt të ligjit. Dimitrievski theksoi se partia është e gatshme për zgjedhje në çdo moment, por vendimi i takon shumicës parlamentare.
Në pjesën e reformave zgjedhore, ai rikujtoi se ZNAM angazhohet për uljen e numrit të deputetëve nga 120 në 90, vendosjen e një njësie të vetme zgjedhore dhe përcaktimin e një pragu zgjedhor prej 2,5 deri në 3 për qind, si dhe për definimin më të qartë dhe më të saktë të kushteve për kandidatët e pavarur, me qëllim krijimin e një sistemi politik më funksional dhe më të drejtë. Në fund, Dimitrievski theksoi se ZNAM mbetet konsekuente ndaj parimeve të saj, sundimit të ligjit, përgjegjësisë institucionale dhe barazisë së të gjithë qytetarëve, duke vepruar si garant që shteti do të funksionojë sipas Kushtetutës dhe ligjit, me një drejtim të qartë reformues dhe përgjegjësi ndaj qytetarëve./Kohamk










