Diplomati serb: Politika ruse nuk po e shpëton Serbinë, rinisni marrëdhëniet mes serbëve dhe shqiptarëve

Diplomati serb dhe anëtari i Forumit për Marrëdhënie Ndërkombëtare, Sreçko Gjukiq, ka thënë se politika ruse nuk po e shpëton Serbinë duke thënë se beson që është i nevojshëm rifillimi i marrëdhënive mes serbëve dhe shqiptarëve dhe që të vendoset një urë bashkëpunimi dhe marrëdhënive të mira me Kosovën.

Ai beson se elita intelektuale e Serbisë, duhet t’i transmetojë publikut mesazhin se duhet të rifillojmë marrëdhëniet mes serbëve dhe shqiptarëve.

“Ne kurrë nuk i kemi konsideruar ato plotësisht dhe nuk jemi përpjekur t’i sjellim në një nivel të ri dhe një paradigmë të re,” theksoi Gjukiq, shkruajnë mediat serbe.

I pyetur nëse Serbia është peng i Rusisë, edhe pse një pjesë e mirë e qytetarëve e shohin atë si aleate, ai u përgjigj se “ne zgjodhëm të jemi peng i Rusisë dhe politikës ruse në kuptimin irracional se mund të na ndihmojë, madje edhe të na shpëtojë ushtarakisht. “

Gjukiq ka thënë se “nuk beson se qeveria aktuale e Serbisë mund dhe dëshiron ta çojë Serbinë në BE”.

Gjukiq mendon se Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të formohet teksa shton se largimi i serbëve nga institucionet e Kosovës ishte një “lëvizje e pamatur”.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu