Dita kur vdiq Tito, ngjashmëritë me vdekjen e Enverit

Në këtë ditë, 43 vjet më parë, ka ndërruar jetë Josip Broz Tito, presidenti i përjetshëm i Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, me të cilin Enver Hoxha do kishte divorcin e parë pas një dashurie ideologjike të ngjizur në vitet e luftës.

Pothuajse të gjithë ata që jetonin në atë kohë në RSFJ e kujtojnë me hollësi momentin kur morën vesh se zemra e presidentit të atëhershëm Josip Broz Tito kishte pushuar së rrahuri.

Ishte një ditë me diell, e diel, 4 maj 1980. Pikërisht në orën 15:05 Radiotelevizioni Jugosllav njoftoi lajmin e hidhur.

Lideri i Unionit të Komunistëve të Jugosllavisë, tri herë hero, themeluesi i Lëvizjes së të Paangazhuarve dhe presidenti i vendit prej 22 milionë banorësh, vdiq pas një sëmundjeje të gjatë. Ai vdiq në Qendrën Klinike në Lubjanë dhe u varros në Shtëpinë e Luleve në Dedinje në Beograd.

Lajmin për vdekjen e lexoi spikeri Miodrag Zdravkoviç: “Ka vdekur shoku Tito… Këtë sonte ia ka bërë të ditur KQ i Bashkimit të Komunistëve të Jugosllavisë dhe Kryesia e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, klasës punëtore, punëtorë dhe qytetarë, kombe dhe kombësi të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë”, ishin fjalët e spikerit.

Siç me Enver Hoxhën, në atë moment i gjithë vendi qau. Njerëzit në rrugë filluan të vrapojnë në shtëpitë e tyre dhe dëshpërimi mbretëroi mbi vendin.

Lajmi i hidhur koinçidoi me derbin kroato-serb ndërmjet Hajduk-ut dhe Crvena Zvezda-s. Në momentin kur u njoftua lajmi, 50 mijë njerëz në tribuna filluan të këndojnë “Shokun Tito, ju betohemi”.

Deri në fillimin e luftës në ish-Jugosllavi, çdo katër maj në orën 15:05 dëgjoheshin sirena në të gjithë vendin. Në atë moment, i gjithë trafiku në rrugë do të ndalonte, kalimtarët do të ndalonin, punëtorët në vendet e tyre të punës do të qëndronin në një qëndrim të qetë dhe kështu vendi do t’i bënte kolektivisht homazhet udhëheqësit të tij më të madh.

Edhe sot, 43 vjet pas vdekjes së Titos, shumëkush në ish-Jugosllavi i kujton ato vite me nostalgji, duke besuar se kanë bërë një jetë më të bukur dhe më dinjitoze gjatë epokës titiste.

Të tjerë e konsiderojnë Titon si një diktator që ishte në gjendje të linte mënjanë kundërshtarët e tij politikë me mençuri dhe të sundonte vendin falë demagogjisë.

Për disa Tito është ende një shenjtor, për të tjerë një figurë e rëndësishme historike, për të tjerë vetëm një kujtim nostalgjik, ndërsa për të tjerë ai është dhe burim të ardhurash, duke shitur suvenire me imazhin e tij interesant për turistët.

Titistë apo jugosllavistë ka dhe Kosova sot, siç ka enveristë, të cilët kanë mbetur të lidhur psikologjikisht me atë kohë, varësisht se çfarë statusi kanë patur, ç’lloj jete kanë bërë apo si e gjykojnë atë krahasimisht me të sotmen.

Gjithsesi, ajo që e dallonte Jugosllavinë e Titos nga vendet e ish-Lindjes, ishte një ngjizje e saj me kapitalizmin perëndimor në aspekt ekonomik, duke patur një standart më të lartë jetesë së vendet e tjera komuniste.

Në Shqipëri, sistemi i trembej Jugosllavisë pikërisht për këtë, prej shumë shqiptarëve që shihnin kanalet jugosllave dhe e fokusonin aty stilin e ëndërrueshëm të jetës, duke patur për idhuj kulturorë dhe shumë emra të muzikës jugosllave.

Më saktë, për shqiptarët e Shqipërisë, jugosllavizimi titist ishte një lloj Perëndimi ekonomiko-kulturor.

Për ilustrim, nëse dikush mbante flokë të gjata të tipit Zdrafko Çoliç, apo femrat tentonin t’a kishin frizurën si Lepa Brena leshverdhë, duke kënduar dhe këngët e tyre, ballafaqoheshin më pyetjen sfiduese nga regjimi: Të kujt jeni, të Titos apo Enverit?


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu