“Fillkov dorëheqje” dhe “Gjuha shqipe nuk negociohet” ishin mesazhet kryesore që dominuan protestën e studentëve shqiptarë sot në Shkup raporton INA.
Në këtë protestë u bashkuan studentët shqiptarë nga tre universitete – Universiteti i Tetovës, Universiteti i Evropës Juglindore dhe Universiteti Nënë Tereza – të cilët kërkojnë që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe, si e drejtë e garantuar me ligj.
Protestuesit kërkuan dorëheqjen e ministrit të Drejtësisë, Igor Fillkov, pas deklaratave të tij se nuk do të lejojë zhvillimin e provimit në gjuhën shqipe. Studentët theksuan se kërkesa e tyre është e qartë: zbatimi i plotë i Ligjit për përdorimin e gjuhëve.
Njëri nga zërat kryesorë të protestës, studenti Mevlan Ademi, u shpreh se kjo protestë është pasojë e një padrejtësie që nuk duhej të ekzistonte në vitin 2026.
“Kjo protestë duhej të ndodhte dikur. Nuk duhej të mendohej që në vitin 2026 studentët të dilnin në rrugë për gjuhën e tyre. Para se të jemi studentë e profesionistë, ne jemi shqiptarë. Gjuha shqipe nuk është vetëm mënyra si flasim, por mënyra si kemi ekzistuar dhe kemi ardhur deri këtu. Gjuha shqipe nuk negociohet. Ne jemi studentë të drejtësisë – nesër do të mbrojmë ligjin, por sot kërkojmë të drejtën tonë për gjuhën amtare. Një shtet që nuk zbaton të drejtat e veta, nuk mund të ekzistojë”, deklaroi Ademi.
Ndërkohë, studenti Besar Sejdiu theksoi se kërkesa e tyre është minimale dhe plotësisht ligjore.
“Kërkesa jonë është e thjeshtë: respektojeni Kushtetutën dhe ligjin – as më shumë, as më pak. Kolegët tanë kanë të drejtë ta japin provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe. Çdo zvarritje është përpjekje për ta mohuar këtë të drejtë”, deklaroi ai.
Në përfundim të protestës, studentët dërguan një mesazh të qartë paralajmërues për institucionet: “Do të kthehemi përsëri”, nëse nuk zgjidhet çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe./INA/










