Kryetari i komunës së Preshevës Shqiprim Arifi sot ka mbajtë një konferencë për medie, duke akuzuar rëndë kryetarin e Partisë për Veprim Demokratik Riza Halimin.
Nga ana tjetër, APN ka dalë me një deklaratë për medie ku ka dhënë edhe sqarimet për disa nga akuzat e lëshuara nga PVD ditë më parë.
Situata politike e krijuar së fundmi, e shkaktuar nga ana e partnerit koalicionar përmes deklaratës qesharake dhe amatoreske të lëshuara nga PVD, deklaratë e cila po tentohet të përdoret për të mbuluar tradhëtinë dhe dinakërinë e këtij subjekti politik në aspektin e koalicionit, është e dëmshme dhe e nxitur nga apetite të pastërta për korrupsion dhe keqpërdorime finansiare, të cilat kanë qenë të ndaluara gjatë qeverisjes nga APN.
Akuzat banale dhe absolutisht të pabaza të paraqitura nga ky subjekt politik i famshëm për manipulime të llojit si ky i fundit janë lehtësisht të demantueshme. Pikat e përmendura në këtë deklaratë, në momentin e publikimit, një pjesë e tyre ishin në diskutim e sipër, një pjesë janë të eksagjëruara dhe një pjesë e madhe janë plotësisht të fabrikuara dhe shpifura me qëllim të krijimit të hutisë tek qytetarët e komunës së Preshevës.
Pamundësia për të realizuar apetitet zhvatëse të këtij subjekti politik dhe friga nga organizimi i zgjedhjeve të parakohëshme, e shtyu subjektin në fjalë që në bashkëpunim me një grup të këshilltarëve të cilët nuk kanë mandat nga populli, të ftoj seancë të jashtëzakonshme për shkarkimin e kryetarit të komunës.