Driton Halimi: Mirënjohje për Kryetarin Kasami për përkrahjen ndaj sportit

Klubi i Karatesë ONYX mirëpriti në ambientet e tij kryetarin e Komunës së Tetovës, z. Bilall Kasami, i cili ishte i shoqëruar nga ministri Besar Durmishi dhe bartësi i listës për këshilltarë, Albi Qamili.

Vizita u vlerësua si një akt i rëndësishëm mbështetjeje për sportin në qytet, veçanërisht për gjeneratat e reja që po rriten me vlera të shëndosha përmes sportit.

Në shenjë mirënjohjeje dhe respekti për përkrahjen e vazhdueshme ndaj klubit dhe zhvillimit të sportit në përgjithësi, Klubi i Karatesë ONYX i ndau një mirënjohje të veçantë, kryetarit Kasami.

“Ky vizion dhe kjo përkrahje janë një motivim i madh për mua personalisht, por edhe për të gjithë klubin. Sporti nuk është vetëm garë, por edhe krenari, identitet dhe një rrugë drejt së ardhmes më të mirë për rininë tonë,” – tha karateisti Driton Halimi, një nga figurat qendrore të klubit ONYX.

Fjalët e mira dhe respekti i treguar nga përfaqësuesit komunalë u pritën me entuziazëm nga të gjithë të pranishmit, duke dëshmuar edhe njëherë rëndësinë e bashkëpunimit mes institucioneve dhe komunitetit sportiv.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu