Dronët e Hezbollahut godasin sërish, vritet një oficer i ushtrisë izraelite

Një oficer i ushtrisë izraelite humbi jetën të shtunën pasi një dron i mbushur me eksploziv shpërtheu në jug të Libanit, raportojnë mediat ndërkombëtare, shkruan InfoShqip.

Ushtria izraelite njoftoi në një deklaratë se “Kapiteni Maoz Israel Recanati, 24 vjeç, komandant toge në Batalionin e 12-të të Brigadës Golani, u vra gjatë përplasjeve në jug të Libanit.”

Sipas raportimeve të mediave izraelite, Recanati u vra si pasojë e një sulmi me dron. Ai konsiderohet ushtari i 20-të izraelit i vrarë në Liban që nga nisja e përshkallëzimit të konfliktit më 28 shkurt, si dhe i shtati që humb jetën pas hyrjes në fuqi të armëpushimit më 16 prill.

Ky është oficeri i dytë, vdekja e të cilit është bërë publike nga Izraeli brenda 24 orëve të fundit, në përballjet me Hezbollahun në jug të Libanit.

Sulmet me dronë të Hezbollahut ndaj forcave izraelite në jug të Libanit po konsiderohen gjithnjë e më shumë një sfidë serioze për sigurinë e Izraelit. Mediat izraelite raportojnë se këto sulme tashmë shihen si ndër kërcënimet më komplekse dhe më të vështira për t’u neutralizuar.

Për shkak të rritjes së humbjeve në radhët e ushtrisë, qeveria izraelite ka zhvilluar së fundmi konsultime emergjente me drejtues të lartë të sigurisë për të shqyrtuar mënyra të reja për t’u përballur me kërcënimin në rritje të dronëve të Hezbollahut.

Ndërkohë, ushtria izraelite vazhdon sulmet e përditshme në Liban dhe shkëmbimet e zjarrit me Hezbollahun, pavarësisht armëpushimit të shpallur më 17 prill dhe të zgjatur më pas deri në fillim të korrikut.

Sipas autoriteteve libaneze, që nga 2 marsi, sulmet izraelite në Liban kanë shkaktuar mijëra viktima dhe të plagosur, ndërsa mbi 1.6 milionë persona janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre, duke përfaqësuar rreth një të pestën e popullsisë së vendit. /InfoShqip.com


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu