Duka i ofron kontratë 4-vjeçare, Reja i sinqertë: Jam i vjetër, më mjaftojnë 2 vjet

Edi Reja duket se e ka kaluar me sukses aventurën e tij në krye të përfaqësueses së Shqipërisë, përderisa kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, shumica e specialistëve dhe vetë tifozët dëshirojnë që ai të vijojë të qëndrojë në krye të skuadrës edhe për eliminatoret e Botërorit 2022.

Megjithatë, edhe pse dje ka pasur një kontakt mes palëve dhe në fillim është raportuar për një marrëveshje që pritet vetëm të zyrtarizohet, duket se palët janë ende larg dëshirës për të zgjatur kontratën.

Sipas një informacioni të hedhur paraprakisht nga mediat pranë Dukës, thuhej se FSHF i ofroi trajnerit kontratë katërvjeçare, pra një kontratë që përfshinte jo vetëm eliminatoret e Botërorit të ardhshëm, por edhe eliminatoret e Europianit të vitit 2024.

Një ofertë që nuk i ishte bërë askujt më parë. Po sipas këtij informacioni, Reja ka kërkuar kontratë 2-vjeçare dhe jo 4-vjeçare, duke u justifikuar me moshën e tij të madhe.

Por këtu ka një “hile”, me sa kuptohet, pasi sado i madh të jetë trajneri vështirë se refuzon ndokush kontratë të tillë magjepsëse.

Dhe nuk është rastësi që disa media sportive kritike që dje pasdite aluduan për një dështim në arritjen e një marrëveshjeje dhe e gjitha kjo sepse vetë FSHF nuk denjon të sqarojë opinionin sportdashës se si është e vërteta rreth bisedimeve me teknikun italian.

Kështu, edhe kushti i vendosur ndaj Rejës lë të mendohet se në FSHF presin vetëm një refuzim nga ai.

Reja e ka bërë të qartë që në fillim se ka nënshkruar kudo kontrata afatshkurtra për të mos qenë as ai e as punëdhënësi peng i tyre.

Ndaj trajneri priste 2 vite kontratë, ndërsa FSHF i ofroi 74-vjeçarit një kontratë 4-vjeçare të cilën Reja sigurisht nuk ka ndër mend ta pranojë këtë marrëveshje e cila është unike pasi nuk i është ofruar asnjë trajneri më parë në historinë e përfaqësueses shqiptare. Sidoqoftë, duke marrë për bazë njoftimin zyrtar, është e saktë të thuhet se mes palëve ka bisedime dhe ekziston dëshira e mirë për rinovim, të paktën nga trajneri që e ka thënë këtë publikisht dhe mirëpret një kontratë dyvjeçare për eliminatoret e Botërorit 2022.

Duka në daljet e tij ka lënë të kuptuar se Reja do të vazhdojë, sepse ka bërë punë të mirë dhe është trajneri i duhur për të aplikuar skemat rezultateve në krye të kuqezinjve.

Aspektet financiare kanë dalë në plan të dytë, por kohëzgjatja e kontratës është problemi. Pra palët ndahen pikërisht këtu, të paktën siç thuhet zyrtarisht, por matanë detit, pra në Itali, ka një këndvështrim tjetër.

Kështu, në një kohë që në Shqipëri po flitet gjithnjë e më shumë për një rinovim të kontratës së trajnerit Edi Reja, nga mediat sportive italiane vjen një laj i bujshëm.

Prestigjiozja “Gazzetta dello Sport”, raporton se kontrata e trajnerit Edi Reja që ka përfunduar në ndeshjen kundër Francës nuk do të rinovohet më.

Fakti që Shqipëria nuk ia doli të kualifikohej, ka bërë që edhe divorci të jetë tashmë shumë pranë megjithëse trajneri ka pranuar publikisht se do të donte të vazhdonte me Shqipërinë.

Deri më tani, ende nuk është asgjë zyrtare por sipas prestigjiozes italiane, divorci mes palëve është i pashmangshëm. “Ndërkohë trajneri Reja po mbyll eksperiencën shqiptare. Kontrata ka mbaruar në ndeshjen e fundit kualifikuese.

Trajneri do të takohet me presidentin e federatës por divorci duket i paevitueshëm”, shkruan “Gazzetta dello Sport”. nuk është vetëm ajo, pasi edhe mediume të tjera sportive në Itali shkruajnë se dy ndeshjet e fundit të Kombëtares kuqezi kanë lënë shije të hidhur tek drejtuesit e federatës, që më shumë se rezultati kanë mbetur të pakënaqur me lojën. Në të vërtetë kjo situatë duket e pafavorshme, sidomos për Rejën, i cili ka punuar me pasion në këta muaj të drejtimit të Kombëtares, ku ka afruar shumë të rinj dhe ka krijuar një grup me shpresë për të ardhmen.

Jo rastësisht atë e duan edhe tifozët, pasi kanë parë që puna e tij jep rezultate, rinovon grupin me prurje të reja dhe është strateg në lëvizjet taktike. Këto merita Rejës i njihen, paçka se Shqipëria nuk ka lojtarë të nivelit të lartë që të ketë shumë pretendime.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu