Durmishi: Llogaritja e shportës minimale nga LSM nuk është reale, do të bëjmë përllogaritje të re

Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi thotë se në seancën e parë të Komisionit socialo-ekonomik do të diskutohet për metodologjinë e re të përllogaritjes së shportës minimale të konsumit.

Durmishi tha se shporta minimale sindikale, që për muajin maj ishte 63,908 denarë, nuk është reale.

“Ajo nuk është reale, për këtë do të bëjmë një shportë të shpenzimeve që do të jetë siç duhet, e qasshme dhe me të dhëna reale dhe realisht do të informohen qytetarët sesa do të jetë shporta e shpenzimeve për një muaj, për këtë po e bëjmë këtë shportë të shpenzimit, ku do të njoftoheni edhe ju, me të dhëna reale për një familje me 4 anëtarë. Sa i duhet një familjeje të shpenzojë për një muaj, në pjesën e ushqimit, në pjesën e pijes, në pjesën e veshjes etj”, theksoi Durmishi.

Ministri thotë se nuk kanë asgjë kundër përllogaritjes që e bëjnë sindikatat, por që sipas tij, e shporta minimale e tyre, nuk është reale.

“Atë që e publikojnë sindikatat, e dimë që e publikojnë, ok, nuk kemi asgjë kundër, por nuk është reale, për shkak se numrat nuk janë të saktë. Do të thotë në pjesën e ushqimit dhe pijeve, shumë herë e kemi thënë se kanë futur produkte që në atë periudhë kohore nuk harxhohen, ose produkte që nuk bëjnë pjesë në shportën minimale, por në tjetër. Kanë vendosur produkte që në muajin janar askush nuk i përdor. Kështu që, do të kemi shportë të shpenzimeve reale”, tha Durmishi.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu