Teksa pushimeve po u afrohet fundi, mbeten në kujtesë ato çaste që nuk maten me asgjë tjetër, momentet me familjen. Kujdesi për njëri-tjetrin, bisedat pa fund, lojërat dhe buzëqeshjet e ndërsjella janë ato që i japin kuptim pushimeve dhe jetës.
Kjo foto e shkrepur në bregdetin e Shëngjinit tregon një pamje prekëse: dy djem, me përkushtim e dashuri, kanë marrë nënën e tyre, e cila me sa duket nuk mund të ecë dot dhe e kanë ulur në një karrige, për ta futur në ujë. Me duar të bashkuara, ata përpiqen t’i dhurojnë një çast gëzimi e lehtësimi, si një falënderim i heshtur për vitet e kujdesit dhe dashurisë që ajo u ka dhënë kur kanë qenë fëmijë.
Ky moment ka prekur zemrat e pushuesve të pranishëm, të cilët e kanë fiksuar me një fotografi që flet më shumë se fjalët për dashurinë e pastër, për lidhjen që mbetet e fortë edhe kur vitet kalojnë.
Njëri prej pushuesve që e pa këtë pamje shkruan: “Përshëndetje me një foto nga Shëngjini. Më bëri shumë përshtypje kjo pamje, dy djem me nënën e tyre. A ka ende njerëz të tillë?”
Kjo pyetje mbetet si një thirrje reflektimi: dashuria dhe respekti për prindërit janë kujtimet më të vyera që mund të lëmë pas.