Dy ura të reja do të ndërtohen mbi lumin Ibër në Mitrovicë, me qëllim të lehtësimit të qarkullimit dhe forcimit të lidhjes mes pjesës jugore dhe veriore të qytetit.
Kështu ka njoftuar Lëvizja Vetëvendosje, ku theksoi se ndërtimi i këtyre urave u bë e ditur gjatë nënshkrimit të Memorandumit të Bashkëpunimit mes Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) dhe komunës së Mitrovicës së Veriut.
Ministri në detyrë Liburn Aliu dhe kryetari Erden Atiq theksuan rëndësinë e projektit si një hap konkret drejt integrimit urban dhe zhvillimit të barabartë.
Në nënshkrim morën pjesë edhe ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Elbert Krasniqi, si dhe zëvendësministri Hysen Durmishi.
Ministri në detyrë Liburn Aliu tha se këto projekte janë për një qytet më të lidhur, më funksional dhe më të jetueshëm për të gjithë banorët.
“Memorandumin e filluam me nënshkrimin e projektit të përbashkët të ndërtimit të dy urave të reja mbi lumin Ibër, projekte këto që do të lehtësojnë qarkullimin e qytetarëve të të dy komunave dhe do shërbejnë si infrastrukturë në komunikimin dhe bashkëpunimin ndërmjet qytetarëve, duke forcuar integrimin social dhe zhvillimin ekonomik në të dy anët”, ka shkruar Aliu.
Urat pritet të shërbejnë jo vetëm për transport dhe lëvizje më të lirë të qytetarëve, por edhe si simbol i afrimit dhe ndërtimit të besimit ndërmjet komuniteteve në Mitrovicë. /Telegrafi