Një tjetër shqiptar në diasporë është vlerësuar për kontributin e tij në ruajtjen e identitetit kombëtar.
Vaxhid Sejdiu, mësues i shkollës shqipe në Zvicër, është nderuar me çmimin “Shqiponja e Artë” gjatë Samitit të 4-t të Diasporës, të zhvilluar në Tiranë. Ky vlerësim iu akordua për punën e tij në ruajtjen dhe promovimin e gjuhës shqipe mes brezave të rinj që jetojnë jashtë atdheut.
Prej vitesh, Sejdiu u mëson fëmijëve shqiptarë në Zvicër gjuhën, kulturën dhe traditat shqiptare, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në forcimin e identitetit kombëtar në diasporë.
Ceremonia mblodhi personalitete shqiptare nga vende të ndryshme të botës dhe vlerësoi individët që kanë dhënë një kontribut të veçantë në ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe trashëgimisë shqiptare.










