E humbin durimin me KFOR-in, “Grupi i Tiranës” dhe deputetët e VV-së i “mëshojnë” misionit të NATO-s për çështjen e barrikadave

(Mos)heqja e barrikadave në Veri ka bërë që njerëz të partisë në pushtet, Vetëvendosjes të kalojnë në akuza në drejtim të Misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

E gjitha ka nisur pasi komandanti i KFOR-it, gjeneral major Angelo Michele Ristuccia kërkoi dialog për zgjidhjen e krizës në veri, shkruan Reporteri.net.

“Grupi i Tiranës” brenda Vetëvendosjes janë lëshuar në akuza e këshilla ndaj KFOR-it. Këshilltari i kryeministrit Kurti, Hysamedin Feraj ka mbajtur “ligjërata” mbi atë se çfarë misioni është KFOR-i, dhe se si nuk i takon që të njëjtit të jap këshilla politike.

“KFOR-i është mision ushtarak. Këshilla e tij politike për dialog të qeverisë me grupet kriminale, e pakta, është shumë e pazakontë.

Zakonisht politika nuk i rekomandon hapur qeverive të dialogojnë me grupe kriminale që marrin peng dhe rrezikojnë jetën normale të qytetarëve. Për më tepër, të grupit të qytetarëve që, në vendin ku qeveriset, gëzon privilegje të pashembull në botë”, ka shkruar Ferraj.

Postimi i tij është shpërndarë edhe nga filozofi i Vetëvendosjes, anëtar kryesie i kësaj parti, Elvis Hoxha.

Hoxha si gjithmonë i ka qëndruar besnik kolegut të tij duke treguar se pajtohet me qëndrimin e tij.

Kritikat ndaj KFOR-it nuk i kurseu as anëtarja tjetër e Kryesisë së VV-së, Dejona Mihali. Mihali thotë se deklarata e KFOR për dialogim për heqjen e barrikadave është e pakuptimtë, teksa rikujton se është dita e 15 e barrikadave për të cilat KFOR kishte kërkuar “pak kohë” për t’i hequr.

“Nuk ka kuptim kërkesa për “dialogim” pas 15 ditësh, teksa ishte kërkuar vetëm pak kohë. Me kë me dialogu për heqjen e barrikadave? Me Radojciqin? Nuk besoj as që duhet as duhet të kërkohet”, shkruan Mihali.

Me reagime nuk e kanë lënë keq as deputetët e VV-së.

Dy deputetët e VV-së, Artan Abrashi dhe Adnan Rrustemi, kanë qenë të parët që kanë reaguar duke e cilësuar të papranueshme kërkesën e KFOR për dialogim për heqjen e barrikadave. Ata kanë thënë se barrikadat duhet të hiqen menjëherë qoftë edhe nga Policia e Kosovës.

Deputeti i VV-së, Artan Abrashi, ka reaguar përmes një postimi në Facebook duke kujtuar se KFOR-i kishte kërkuar pak kohë për largimin e barrikadave e kanë ikur mbi 2 javë.

“KFOR-i kërkoi pak kohë për heqje barrikadash, ndërkaq sot kur u bënë 14 ditë thotë të zgjidhet kjo çështje me dialog. Si ndodhi kjo që nga pak kohë për heqje të barrikadave të kalojmë te negociimi me krimin dhe bandat kriminale e të armatosura”, ka shkruar Abrashi në një postim në Facebook.

“Kjo është vërtetë e papranueshme. KFOR-i të përmbush misionin e tij ose barrikadat i heq Policia e Kosovës ashtu siç ka shprehur gatishmërinë dhe ka kapacitetin. Rendi dhe ligji nuk mund të dialogojnë me bandat kriminale”, ka shkruar ai.

Ndërsa, deputeti tjetër i VV-së, Adnan Rrustemi, po përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “duhet ta themi rendin e gjërave ndonëse ai është shumë i thjeshtë dhe i qartë”.

“1. Në Republikën e Kosovës janë bllokuar disa prej rrugëve nacionale. Dhe kjo është e paligjshme. 2. Këto barrikada janë vendosura nga struktura kriminale dhe të armatosura që dirigjohen direkt nga Beogradi, madje këtë edhe e kanë pranuar zyrtarisht. 3. KFOR ka kërkuar pak kohë nga institucionet e Republikës së Kosovës për t’i hequr këto barrikada të paligjshme. 4. Jemi në ditën e 14 dhe sot KFOR deklaron që kjo punë të zgjidhet me dialog”.

Ai ka thënë se “këto deklarata dhe kjo zhagitje vërtetë po bëhen të papranueshme dhe janë duke kaluar çdo pritje”.

“Rendi dhe ligji duhet të mbizotërojë. Me krimin dhe paligjshmërinë nuk mund të negociohet. Barrikadat duhet të hiqen sa më parë dhe Policia e Kosovës ka të gjitha kapacitetet ta bëjë këtë gjë”, ka shkruar ai.

Sot gjatë ditës ka reaguar edhe deputeti tjetër, Dimal Basha.

Basha ka thënë se KFOR-i po kërkon dialog me bandën e Milan Radojiçiq, që është i sanksionuar nga SHBA-të.

Madje ka shkuar edhe më larg, duke pyetur KFOR-in nëse e ka pyetur Ambasadën amerikane në lidhje me deklaratën, dhe se sipas tij ajo s’do ta miratonte atë.

“Pas 15 dite, KFOR-i paska thanë që duhet dialog me bandën e Radojçiqit për zhbllokimin e barrikadave!

A keni fol me ambasadën se ky me shokë janë n’listën e zezë të Amerikës? Nuk besoj që Amerika ua miraton këtë deklaratë!

Tjetra, po i njejti me shokë janë të kërkuar prej forcave tona policore për plotë vepra kriminale! Kur të takohen me policinë nuk ka dialogim, veç arrestim!

KFOR-i është duke gabuar që po e politizon pozitën e vet, sepse po e humb kredibilitetin tek qytetarët duke mos ushtru mandatin e tyre! Nëse dëshironi me qëndru indiferent ndaj kriminelëve, në rregull, vetëm lëshoni udhë sepse policia jonë është deklaru që ka kapacitete me i hjek pengesat, por m’u nënshtru asnjëherë!”, shkruan Basha.

Kujtojmë se Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, paralajmëroi dy ditë më parë mundësinë e heqjes së barrikadave, nëse KFOR nuk vepron sa më shpejt.

Sveçla tha se po presin që KFOR-i të veprojë sa më shpejt, por shtoi se nëse kjo nuk ndodh, Kosova do t’i heqë vet.

“Ata [KFOR] kanë kërkuar një kohë që ata vetë të bëjnë largimin e barrikadave. Ne tani po presim që atë angazhimin e tyre ta realizojnë. Por pasi janë bërë 13 ditë dhe ne kemi policë të bllokuar në Jarinjë dhe Bërnjak, ditët që po numërohen, po u vije fundi. Besoj që KFOR-i dhe faktori ndërkombëtar po angazhohen që këtë ta bëjnë sa më shpejt. Por, për hir të një stabiliteti më të madh, ne po presim që kjo të bëhet nga vetë ata që kanë vendosur barrikadat apo KFOR-i. Por, pritja e ka fundin e saj”, tha Sveçla.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu