Ndeshja mes Maqedonisë dhe Shqipërisë pritet të zhvillohet në një atmosferë të nxehtë për shkak të historisë mes dy vendeve fqinje.
Të dy stafet përfaqësuese janë munduar të ulin tonet duke kërkuar që kjo përballje të jetë vetëm një ndeshje futbolli.
Rreth 450 mbështetës shqiptarë do të jenë të pranishëm në stadiumin “Mladost” në Strumicë, aq sa ka lejuar Federata e Futbollit të Maqedonisë.
Për herë të parë në 23 vjet Maqedonia do të luajë një ndeshje kualifikuese larg Shkupit, ndërsa stadiumi “Mlladost” i Strumicës është rinovuar në mënyrë artificiale, duke u klasifikuar në kategorinë e tretë të UEFA-s për ndeshje ndërkombëtare.
Përveç punimeve në tribunën VIP dhe atë të gazetarëve, tribunat janë zgjeruar. Për të realizuar këtë janë përdorur struktura prej çeliku, ndërsa në të gjitha tribunat janë vendosur ulëse të reja.
Kujtojmë që ky stadium ka një kapacitet prej 6.500 vendesh, ndërsa ndeshja do të luhet të martën në orën 20:45.










