Fuqia e uraganit “Maria” ka kaluar në një kategori “jashtëzakonisht të rrezikshme”, më saktësishtë në kategorinë e nivelit të katërt të stuhive, thonë parashikuesit amerikanë të motit.
Ky uragan sipas tyre është nisur drejt Ishujve Leeward në Karaibe.
BBC shkruan se ky uragan pritet të godasë këtë zonë të hënën në mesnatë, sipas orës lokale.
“Maria” është duke lëvizur përafërsisht përgjatë së njëjtës rrugë si uragani “Irma”, stuhia që shkatërroi këtë rajon gjatë këtij muaji.
Paralajmërimet e uraganeve janë lëshuar për Guadeloupe, Dominica, St Kitts dhe Nevis, Montserrat, Martinique, St Lucia dhe ishujt e SHBA-së dhe Britanisë.
Disa nga këta ishuj janë ende duke u rimëkëmbur pasi u goditën nga uragani “Irma”, një stuhi e kategorisë së pestë e cila la të paktën 37 vetë të vdekur dhe shkaktoi dëme prej miliardash dollarë.
Përgatitjet kanë filluar gjithashtu në Puerto Rico ku uragani “Maria” pritet të sjellë erëra të forta gjatë ditës së martë. /Joq










