Pas disa ditësh bisedimesh, të cilat ishin parashikuar të përfundonin të shtunën, por u shtynë për shkak se disa vende nuk ranë dakord me fondet e kërkuara, Bashkimi Europian arriti të miratojë buxhetin e ardhshëm 7-vjeçar.
Buxheti kap shifrën 1.82 trilionë euro, ndërsa fondi i rimëkëmbjes së ekonomisë nga Covid-19 do të jetë 750 miliardë euro, nga të cilat 390 miliardë euro do të jepen si grante, ndërsa 360 miliardë në formën e kredive.
Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, e quajti atë një “marrëveshje të mirë”, duke deklaruar se “Europa është e fortë”.
€750 miliardë: BE bie dakord për fondin e rimëkëmbjes
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ndërkohë, nënvizoi lëshimet e bëra në kërkimin e një kompromisi, duke thënë se i vinte keq që do të kishte shkurtime në “politikat moderne” në kërkime dhe inovacion.
Tani marrëveshja do të duhet të kalojë në shqyrtimin e Parlamentit Evropian, i cili së shpejti do të organizojë një seancë plenare të veçantë.
Të hënën, kancelarja gjermane Angela Merkel konfirmoi mbështetjen e saj që një “pjesë e konsiderueshme e granteve” t’u jepen vendeve më të goditura nga ndikimi ekonomik i pandemisë së Covid-19.










